Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka folur flasë para bashkatdhetarëve në ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.
Mehaj përmes një shkrimi në “Facebook”, ka thënë se historia jonë na mëson se e kaluara jonë është ajo mes të drejtës dhe sakrificës për të jetuar në tokën tonë, shkruan arbresh.info
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Tani kur pak ditë na ndajnë nga përvjetori i pavarësisë së Republikës së Kosovës, kisha nderin dhe kënaqësinë të flasë para bashkatdhetarëve tanë dhe të pranishmëve të tjerë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.
Në vijim gjeni fjalimin tim:
I nderuar Ambasador Bajrami,
I nderuari përfaqësues në NATO Z. Zemaj,
Të dashur qytetarë dhe miq të Republikës së Kosovës,
Në emër të Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti më lejoni të falënderoj secilin prej jush që jeni mbledhur këtu sonte për të festuar arritjet e atdheut tonë që pas katër ditësh do të shënoj edhe 15-vjetorin e Pavarësisë.
Është kënaqësi të jem këtu mes të gjithëve si Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, për të festuar Republikën tonë, vendin tonë, Kosovën. 15 vite sfida por më shumë se 24 vite të lira nga okupatori serb.
Për 15 vjet, angazhimi i Kosovës ndaj NATO-s dhe BE-së nuk është lëkundur asnjëherë, dhe vendosmëria jonë për të qenë pjesë e këtyre aleancave është më e fortë se kurrë.
Shpallja e Pavarësisë ishte padyshim rezultat i luftës sonë çlirimtare, kauzës sonë për vetëvendosje dhe solidaritetit të botës demokratike të treguar ndaj nesh.
Historia jonë na mëson se e kaluara jonë është ajo mes të drejtës dhe sakrificës për të jetuar në tokën tonë.
Nga e kaluara jonë e vështirë tani jemi përgjegjësit e vetëm të së tashmes dhe të ardhmes që duam të ndërtojmë.
Duhet të ndihemi krenarë për punën që është bërë gjatë viteve të fundit, e për faktin se institucionet tona po përmirësohen çdo ditë e më shumë.
Ne tashmë kemi ushtrinë, Forcën tonë në të cilën vazhdimisht po investojmë, për ta ngritur në kapacitetet e saj më larta profesionale, për të qenë gjithmonë të gatshëm jo vetëm për të mbrojtur vendin por gjithashtu edhe për t’i kontribuar misionit të NATO-s, duke u bërë pjesë e tij dhe duke mbrojtur kauzat tona të përbashkëta.
Pak para se të mbërrinim këtu, së bashku me Gjenerallejtënant Jasharin, ne mirëpritëm ushtarët tanë nga Ishujt Falkland, ku ishin në një bashkëvendosje të përbashkët me trupat britanike. Përkrah aleatëve, ashtu siç gjithmonë do të qëndrojmë.
E ndërsa sonte ndodhem këtu para jush, ushtarakët tanë të kërkim-shpëtimit janë në provincën Hatay duke bërë të pamundurën për të shpëtuar jetë njerëzish të cilët kanë ngecur nën rrënojat e ndërtesave të shembura pas tërmetit në Turqi, ngase këta jemi ne, popull liridashës e paqedashës që ka të shenjtë jetën pa dallim kombësie.
Tani në emër të Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti më lejoni të ndaj disa të arritura gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes.
Kemi pasur një rritje ekonomike prej 16%.
Rritje të eksportit për 85%, ndërsa buxheti për vitin 2023 ka arritur vlerën mbi 3 miliardë euro. Më e rëndësishmja, ne kemi rritur mundësitë e barabarta për zhvillim duke e bërë arsimin publik falas. Duke rritur buxhetin për arsimin dhe duke ofruar mbështetje financiare për studentët, kemi hyrë në një fazë të re ku diploma ofron një vend pune.
Përveçse në mirëqenien e qytetarëve me krenari them se kemi investuar në mbrojtje duke dyfishuar buxhetin. Po investojmë më shumë se kurrë në ushtrinë e Kosovës!
Ndërsa janë ngritur pagat për ushtarakët tanë të cilat janë shtylla mbrojtëse e këtij vendi dhe krenaria jonë, po vazhdojmë të ngrisim kapacitetet e tyre përmes shkollimit e trajnimit, e përmes investimit në pajisje ushtarake.
Si vend që duam të kontribuojmë në sigurinë e përgjithshme, me shumë përkushtim kemi qenë nikoqir në ushtrimin më të madh ndërkombëtar “Defender ’21” të udhëhequr nga ShBA, në të cilin 330 ushtarët e FSK-së në mesin e 27 shteteve pjesëmarrjeve kanë treguar nivel të lartë të profesionalizmit.
Misionet NATO-s janë dhe misionet tona, andaj kemi ofruar përkrahjen tonë duke akomoduar më shumë se 1300 refugjatë afganë, shenjë kjo jo vetëm e solidaritet me refugjatët, por edhe një angazhim afatgjatë ndaj NATO-s, e po ashtu kemi ofruar strehimin e më shumë se 5.000 refugjatëve nga Ukraina, dhe trajnimin e ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe largimit të materieve të rrezikshme, dhe jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë ndihmën e nevojshme brenda kapaciteteve tona dhe kërkesave si pjesë e takimeve të rregullta të Grupit të Kontaktit të Ukrainës.
Kemi aplikuar në Këshillin e Evropës duke adresuar të gjitha pengesat për liberalizimin e vizave dhe jemi duke përgatitur dhe marrë masa për anëtarësimin në BE dhe programin e NATO-s për Partneritet për Paqe. Jemi në linjë dhe aleat i BE-së dhe SHBA-së.
Për të luftuar krimin dhe korrupsionin, qeveria jonë po punon për Vettingun për Drejtësi. Ne themeluam Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Luftës për të ruajtur kujtesën tonë kolektive dhe për t’iu treguar brezave të rinj të kaluarën tonë dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Jemi renditur të parët në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për sundimin e ligjit, ndërsa jemi ngritur për 17 vende sa i përket luftimit të korrupsionit, rezultate këto që flasin për një shtet dhe qeveri funksionale në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të kombit.
E di që të gjithë janë të shqetësuar për marrëdhëniet tona me Serbinë. Qeveria jonë synon të ketë njohje reciproke me Serbinë dhe të ruaj paqen dhe sigurinë në rajon, andaj kemi ripërcaktuar dialogun në Bruksel si dialog në mes dy shteteve të barabarta.
Republika e Kosovës gjithmonë ka dashur paqe dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, por ashtu siç ka thënë Hamëz Jashari “Edhe nëse Europa na hap dyert, ne nuk do të largohemi nga vendi ynë”. Ne shqiptarët nuk harrojmë kurrë se nga vijmë.
Të nderuar bashkatdhetarë, kemi shumë punë përpara dhe përmirësime për të bërë. Mbështetja juaj është shumë e rëndësishme, diaspora jonë gjithmonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës. Kërkoj nga secili prej jush që të vazhdoni të kontribuoni për Kosovën, pasi jeni diplomatët tanë më të mirë.
Në emër të Kryeministrit dhe timin, një falënderim të veçantë shpreh për të gjithë aleatët dhe partnerët tanë që po na mbështesin në rrugëtimin tonë.
Ju faleminderit edhe një herë të gjithë të pranishmëve dhe le të festojmë gjithmonë arritjet, e të mos harrojmë se nga vijmë, dhe se është obligim dhe detyrë e jona që të shërbejmë dhe të bëjmë më të mirën për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve tanë. /arbresh.info/
Organizata “Qika” hedh tym të zi në oborrin e Klan Kosovës
Hidhet tritol në biznesin e personazhit të njohur të TikTok,...
E rëndë, vdes një foshnje e posalindur në QKUK
Lëndohen gjashtë persona në një aksident në Mitrovicë
Shala publikon fotografi të rrallë me Thaçin, Veselin dhe Kr...
Haxhiu kujton Astrit Deharin në përvjetorin e tetë të vdekje...