Google ADS

Mediumi nga Bosnja: Radojiçiq është plagosur në sulmin e djeshëm terrorist

22:18 | 25 Shtator 2023
Orgesa Haziri

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq dyshohet se është në mesin e të plagosurve nga grupi terrorist në Banjskë të Zveçanit, i cili dje sulmoi Policinë e Kosovës, me  ç’rast u vra në krye të detyrës rreshteri, Afrim Bunjaku.

Në fakt, portali i njohur nga Bosnja e Hercegovina “Istraga” raporton se Radojiçiq është në mesin e sulmuesve të plagosur.

Ai prej kohësh është në listën e zezë të Amerikës dhe i kërkuar nga institucionet e Kosovës për vepra të ndryshme kriminale.

Sipas mediumit boshnjak, Radojiçiq tani ndodhet në Serbi për trajtim mjekësor.

Gazetari hulumtues i portalit “Istraga.ba”, Avdo Avdic i tha RTK-së se në disa raste kanë tentuar ta kontaktojnë Radojiçiqin, por fillimisht një person i panjohur i cili është përgjigjur në telefonin e tij ka thënë se “nuk është Radojiçiq”, ndërsa më pas, i njëjti person ka pohuar se Radojiçiq është mirë.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë adresimit të sotëm për media gjatë prezantimit të armatimit të sekuestruar në aksionin e djeshëm të policisë në Banjskë ka konfirmuar në automjetet e sekuestruara janë gjetur edhe dokumente të Milan Radojiçiqit.

“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur dokumente të kriminelit Milan Radojiçiq, që po ashtu është në listën e zezë të SHBA-së, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të tij në këtë aksion”, ka thënë Sveçla.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme