Mediumi gjerman: Kosova mund të pranohet më 2023-ën në Këshillin Evropian

22:17 | 22 Prill 2022
S D

Kosova mund të jetë së shpejti anëtarja më e re e Këshillit Evropian. Kështu, të paktën, po thotë gazeta gjermane F.A.Z, e cila po thirret në burime të veta, duke shtuar se periudha e aplikimit nga institucionet kosovare mund të jetë në maj.

“Sipas informacioneve të F.A.Z. Nga Prishtina, qeveria e Kosovës po planifikon të fillojë aplikimin për anëtarësim pas zgjedhjeve në Francë, ndoshta në maj”, sqarohet në artikull, përcjell lajmi.net.

Siç raportohet më tej, aplikimi në këtë datë, mund ta pranojë Kosovën në KE më 2023-ën.

Sipas përllogaritjeve të F.A.Z, përkatësisht gazetarit Michael Martens, për pranimin e Kosovës do të nevojiteshin dy të tretat e shumicës, pra 31 vende. Nga 46 vende anëtare, 34 e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Kosova tani ka një mundësi të madhe për të aplikuar për anëtarësim menjëherë. Rusia dhe aleatët e saj nuk janë më në gjendje ta bllokojnë Kosovën”, citohet nga mediumi ish-ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mesin e muajit prill konfirmoi se “projekti i Këshillit të Evropës” është prioritet në Prishtinë dhe se duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Artikulli i mediumit gjerman përmend edhe deklaratat e anëtarit të Bundestagut, Frank Schwabe (SPD), ku kërkoi që të afrohet Kosova me Evropën, nëpërmjet anëtarësimit në KE.

“Ne duhet ta afrojmë Kosovën me Evropën. Një mënyrë e mirë për ta bërë këtë do të ishte anëtarësimi në Këshillin e Evropës”, deklaroi ai.

Pak më herët, autori i këtij artikulli, gazetari Martens, paralajmëroi se Kosova ka mundësi të mirë të anëtarësimit në KE.

“Rusia jashtë, Kosova brenda? Disa burime të besueshme konfirmojnë se Kosova “shumë shpejt” do të inicojë procesin e anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës. Matematikisht dhe politikisht, shanset për sukses konsiderohen të jenë të mira. Për më shumë, në edicionin e nesërm të FAZ”, shkruante ai në ‘Twitter’.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme