Më shumë se 60 persona janë intervistuar për vrasjen e Elvis Pistës, asnjë i akuzuar

16:35 | 18 Qershor 2018
M. A.

Natën e 15 qershorit të vitit 2014, Elvis Pista ishte qëlluar me 4 plumba pas shpine nga një armë me silenciator. Por, edhe pas katër viteve të vrasjes së tij, organet e hetuesisë kosovare nuk kanë mundur që të nxjerrin qoftë edhe një të dyshuar. Anipse për këtë rast nga ana e Prokurorisë janë intervistuar më shumë 60 persona. Zyrtarët shtetërorë thonë se për këtë punë janë duke i vazhduar hetimet.

As edhe një person ende nuk është vënë nën llupën e prokurorisë së shtetit si i dyshuar për vrasjen e Elvis Pistës, kandidat i PDK’së për deputet të Kosovës. Edhe 4 vjet pas vrasjes së tij, organet e hetuesisë kosovare kanë dështuar që të sigurojnë ndonjë provë që do të dërgonte deri zbardhja e vrasjes së Pistës.

Ndonëse hetimet për këtë punë janë duke u vazhduar ende, në Prokurorinë Themelore të Gjakovës deklarojnë se nuk po arrijnë që të gjejnë ndonjë provë, apo të dyshuar për këtë vrasje misterioze. Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Ali Selimaj, ka deklaruar për Express se rreth kësaj çështjeje nuk kanë asgjë të re.

Selimaj thotë se për këtë punë deri më tani janë intervistuar dhjetëra persona.

“Ende nuk kemi asgjë të re. Sa e di unë hetimet po vazhdojnë. Por asgjë konkrete nuk kemi. Ne çdo informacion që e kemi jemi duke e hetuar”, ka deklaruar ai. E rreth vrasjes së Pistës janë më shumë se 60 persona të cilët deri më tani janë intervistuar si dëshmitarë nga ana e Prokurorisë. Disa prej tyre madje edhe janë ri-intervstuar. Por, sipas prokurorisë, deri më tani nga asnjëri nga këta persona nuk është arritur që të nxirret ndonjë informatë cila do të dërgonte në përfundimin e misterit të vrasjes së Pistës.

Nga familja e Pistës janë të bindur se autorët e kësaj vrasjeje do të dalin para gjyqit. Motra e Pistës, Beatrisa Pista-Demiri nëpërmjet një statusi në Fcaebook, ka deklaruar se herët e vonë drejtësia për këtë rast do të triumfojë.

“Vëlla i dashur, ka shumë ditë Bajrami qe ti nuk na e hap derën por ne vijmë tek ti, sot u bënë katër vite nga vrasja jote, por pusho i qetë vëlla se e vërteta nuk është varrosur së bashku me ty! Herët apo vonë drejtësia do të triumfojë! Të duam shumë Elvisi ynë”, ka shkruar motra e Elvis Pistës.

Elvis Pista, është vrarë më 15 qershor 2014, derisa po largohej nga një restorant në Rahovec. Mbrëmjen tragjike ai po festonte ditëlindjen e gruas së tij. Pista është qëlluar 4 herë nga prapa nga arma me silenciator. Shkrimet personale të Pistës ishin dërguar në Finlandë, pasi që institucionet e Kosovës e as ato të EULEX-it nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë ekzaminimin e tyre.

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Elvis Pista, në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit të vitit 2014, kishte mposhtur kundërkandidatët e tij nga partitë e tjera, duke u bërë njeriu më i votuar në të gjithë komunën e Rahovecit, derisa në nivel partie në Rahovec vetëm Hashim Thaçi kishte marrë më shumë vota se Pista.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 11 qershorit, kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së ishte motra e Elvisit, Beatrisa Pista Demiri.

Ajo kishte thënë se po hyn në politikë për një arsye të fortë, për të ndriçuar vrasjen e dyshimtë të vëllait të saj.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme