Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përuroi sot, në fshatin Kramovik, Komuna e Rahovecit, impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në vise rurale.
Impainti do të trajtojë ujërat e zeza të rreth 1100 banorëve të Kramovikut duke reduktuar për 90 për qind ndotjen dhe duke bërë të mundur që uji i shkarkuar të jetë në përputhje me standardet për trajtimin që shpien në mbrojtjen e lumit Drin dhe përmirësimin e mjedisit të degraduar rëndë.
Fatmir Matoshi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i cili ishte i pranishëm në inaugurim theksoi rëndësinë e projektit dhe falënderoi për bashkëpunimin e ngushtë mes instituciomeve dhe donatorëve në fushën e mjedisit. Ministri Matoshi gjithashtu potencoi se ky impiant është i pari i këtij lloji në Kosovë e me rëndësi të posaçme në mbrojtjen e florës dhe faunës në këtë vend.
Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së me këtë rast u shpreh: “Uji i pastër dhe lehtë i qasshëm është një ndër aspektet më kryesore për një botë në të cilën duam të jetojmë. Cilësia e dobët e ujit dhe kanalizimi joadekuat ndikojnë negativisht në sigurinë e ushqimit, zgjedhjet që na ofrohen dhe mundësitë e tjera për familjet në mbarë botën. Kjo është arsyeja pse impianti për trajtimit e ujërave të zeza në Kramovik është shumë i rëndësishëm dhe një shembull i shkëlqyer i përpjekjeve për të mbrojtur ujërat tona. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë për kontributin e tyre e sidomos GEF-in për financimin e tyre bujar që e bëri këtë projekt të mundshëm”.
Smajl Latifi, kryetar i komunës së Rahovecit vuri në pah rëndësinë e impiantit i cili u përurua sot pasiqë 66 përqind të shtëpive do të kyçen në këtë sistem me shpresë që ky projekt të përsëritet edhe ne lokacione tjera.
Impianti është pjesë e projektit të financuar nga GEF-i “Mundësimi i Bashkëpunimit Ndërkufitar dhe Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore në Pellgun e Zgjeruar të Lumit Drin”, i implementuar si një aktivitet që demonstron si mund të mbrohet cilësia e ujit e lumit Drin përmes teknologjive inovative dhe me çmim të volitshëm, sidomos në zonat ku nuk ka qasje në impiante urbane për trajtimit e ujërave të zeza.
Në emër të fshatit Kramovik, Jemin Thaçi falënderoi të gjithë të përfshirët për përmirësimin e jetës së fshatarëve që vuajtën me vite të tëra nga ujërat e ndotura.
Gjithashtu i pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Rizah Hajdari nga GWPmed i cili vlerësoi lartë punën e palodhshme të ministrisë, komunës dhe komunitetit në realizimin e këtij projekti.
”Mundësimi i Bashkëpunimit Ndërkufitar dhe Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore në Pellgun e Zgjeruar të Lumit Drin” është projekt rajonal dhe përfshinë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe Greqinë. Projekti implementohet nga UNDP dhe ekzekutohet nga GWPmed, në bashkëpunim me UNECE.
Kontribut të rëndësishëm për këtë projekt demonstrues në Kramovik, i cili kap një vlerë të përgjithshme prej 125,000 Euro, kanë dhënë edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komuna e Rahovecit si dhe komuniteti i fshatit Kramovik./arbresh.info/
Kurti: Regjistrimi i popullsisë ofron pasqyrë të saktë për t...
Zgjedhjet e 11 majit, Rama: Votimi i diasporës proces komple...
Hamza: Gjithçka është shtrenjtuar, unë do t’i rris pagat dhe...
Përfshihet nga zjarri një veturë në Prishtinë, policia jep d...
Mori një goditje të fortë në fytyrë nga kundërshtari, dalin ...
BBVA4 nis të shtunën, mesazhi i Sara Hoxhës: Kemi sakrifikua...