Me kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, pranohen disa materiale si prova në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

12:31 | 17 Tetor 2023
KRG

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë me fillim të seancës së sotme, me kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, janë pranuar disa materiale si prova në këtë proces.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III këto prova iu ishin paraqitur dëshmitarit Nebojsha Radosheviq, ish-reporter nga Kosova i Agjencisë Shtetërore Serbe të lajmeve, Tanjug, (me kodin 03880), i 28-të në këtë çështje gjatë dëshmisë së tij më 9 dhe 8 tetor.

Gjykatësi Smith III tha se këto materiale nuk ishin kundërshtuar as nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pranimi i disa materialeve nuk është kundërshtuar nga ZPS-ja. Këto janë: dy shënime zyrtare të ZPS-së, një artikull në shtyp dhe një fragment nga Linkedin dhe një segment videoje. Materialet i janë paraqitur dëshmitarit 03880 gjatë dëshmisë që dha më 9 dhe 10 tetor 2023. Sa i takon këtyre materialeve, trupi gjykues është bindur se kërkesa dhe rregullës 138/1 janë përmbushur. Rrjedhimisht materialrt që do të përmenden më vonë do të pranohen dhe do të marrin numrin e provës materiale”, tha gjykatësi Charles Smith III.

Mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar pranimin edhe të katër materialeve të tjera të cilat iu ishin paraqitur dëshmitarit 03880. Pranimin e këtyre materialeve e kishte kundërshtuar edhe ZPS-ja.

“Rrjedhimisht materiali nuk pranohet. Sa u takon tre materialeve të tjera, trupi gjykues është i bindur që janë relevante, pra kanë lidhje veçanërisht sa i takon statusit të dëshmitari me numrin 03880 ose dëshmitarit 04828… Turpi gjykues vlerëson se tri materialet kanë tregues të mjaftueshëm të origjinës së tyre”, tha gjykatësi.

Trupi gjykues ishte i bindur se këto materiale kanë vlerë provuese në këtë proces.

“Trupi gjykues po ashtu është i bindur që këto materiale kanë vlerë provuese që nuk kundërpeshohet nga efekti cenues. Dëshmitari ishte në gjendje t’i autotentikonte këto materiale në kuptim të komentonte përmbajtjen e tyre, të konfirmonte vërtetësinë apo saktësinë e tyre dhe kjo është në aspekt ku do të vlerësohet kur të vendoset për peshën e rëndëprovuese që kanë këto dokumente”, tha Smith III.

Të ngjashme