Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, në Kosovë vazhdon të jetë prezent, por duke vepruar me kompetenca të kufizuara në rolin e tij.
Në bazë të marrëveshjes së institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, EULEX-it i skadon mandati me 14 qershor, por siç raportohet ky mandat pritet t’i vazhdohet.
Për vazhdimin e mandati të këtij misioni kërkohet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Nga viti 2018 kompetencat dhe përgjegjësitë e misionit të EULEX-it, janë reduktuar në masë të madhe.
Ky mision është i fokusuar kryesisht në monitorimin e punës së gjykatave dhe prokurorive lidhur me raste strategjike apo me interes qoftë për publikun apo fusha me interes për partnerët ndërkombëtarë.
Ehat Miftaraj, njohës i sistemit të drejtësisë, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, konsideron se të arriturat më të mëdha të këtij misioni kanë qenë në fillim të mandatit kryesisht në vitet 2009-2013, ku përmes mandatit të mentorimit dhe këshillimit, Kosova kishte arritur që të ndërtojë institucione me integritet dhe profesionale siç është policia, Shërbimi Korrektues, gjykatat dhe prokuroritë.
Miftaraj thekson se EULEX ka pasur edhe dështime të mëdha. Sipas tij, dështimet e këtij misioni lidhen me mungesën e vullnetit politik për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë.
“Qytetarët dhe publiku mund të kërkojnë ende nga ky mision llogari për mungesën e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, përfshi krimet e luftës, gjatë viteve 2008 deri 2014 kur ky mision ka pas kompetenca ekzekutive dhe rol kyç në këto fusha. Nga viti 2014 këto kompetenca janë transferuar tek autoritetet vendore të cilët edhe kanë përgjegjësi për çdo dështim”, tha Mifaraj.
Zyrtarë të institucioneve të Kosovës kanë thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka arritur t’i ndërtojë kapacitetet e veta të fuqishme për të marrë përgjegjësitë.
Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike, Politike, thotë se EULEX-i si misioni më i madh i BE-së i vendosur në Kosovë për më shumë se një dekadë, ka qenë i organizuar në dy divizione. I pari, sipas saj, është divizionin ekzekutiv dhe divizioni i fuqizimit.
Të dy divizionet, thotë ajo, janë përqendruar në hetimin e lëndëve penale, monitorimin dhe mbështetjen e forcave policore, gjykatat dhe doganat.
“Nga këto dy divizione, divizioni i fuqizimit ka qenë me i suksesshëm duke i fuqizuar institucionet vendore e duke ndërtuar sistemin e regjistrimit civil nga fillimi, si dhe punën qe kanë bërë me dogana. Sa i përket pjesës gjyqësore ose divizionit ekzekutiv, mund të thuhet se ata nuk arritën të përmbushin qëllimet e tyre siç ka qenë e menduar. Për më tepër, mund të thuhet që ky divizion ka dështuar të luftojë krimin e organizuar, korrupsionin dhe rastet e nivelit të lartë. Njëkohësisht, fakti që vetë misioni është vënë nën akuza të ndryshme tregon nivelin e mangësive që karakterizojnë këtë mision”, tha Hoxha.
Radio Evropa e Lirë, ka provuar të marrë një përgjigje nga zyrtarët e EULEX-it lidhur me punët që kanë bërë kohëve të fundit dhe cila janë punët aktuale që janë duke i bërë, por deri tash, ata nuk janë përgjigjur në pyetjet.
Disa qytetarë në Prishtinë, mendojnë se misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, duhet të përfundojë misionin dhe nuk duhet që ti vazhdohet mandati për vazhdimin e punës.
Mumin Murtori, me profesion inxhinier, tha për Radion Evropa e Lirë, se EULEX-i nuk ka dhënë kontributin për të cilin ka ardhur në Kosovë.
“Po të kishin ardhur me qëllimin e mirë, shumë ka pasur mundësi të bëjnë, por për fat të keq asgjë nuk kanë bërë. Le të shkojnë. Asnjë punë të ndershme nuk e besoj se e kanë bërë, po të kishin bërë i gjithë populli do ishte që ata të rrinë”, tha Murtori.
Ngjashëm mendon edhe Selver Dërmaku. Ai thotë se misioni i EULEX- it si edhe ai i UNMIK-ut vetëm para kanë shpenzuar.
“Edhe UNMIK-u edhe EULEX-i e kanë mbaruar misionin. Asgjë nuk kanë bërë vetëm kanë marr para”, tha Dërmaku.
Bazuar në vlerësimet e organizatave joqeveritare në Kosovë, misioni i BE-së nuk i ka përmbushur pritjet, sidomos në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
EULEX Kosova ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.
Misioni i tashëm i EULEX-it është t’i asistojë autoritetet e Kosovës në ngritjen e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit.
Misioni vazhdon t’i mbështesë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës./rel
Parashikimi i motit, Reshje shiu në disa zona
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju
Gjashtë fitore nga gjashtë duele profesionale – Benjamin Ime...
Piktura e Max Liebermann shitet në ankand për 720,000 euro
Shqipëri: 9 orë debate, shtyhet për nesër mbledhja e Komisio...
Podujeva nga sot bëhet me objekt të ri të Urgjencës