Me ftesë të British Council, ministrja Nagavci po qëndron në një vizitë zyrtare në Angli

11:41 | 9 Mars 2023
K.B

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me ftesë nga British Council është duke qëndruar për një vizitë studimore në Angli.

Ajo atje  është pritur nga ministri i Shtetit në Departamentin e Arsimit në Angli, Nick Gibb, me të cilin ka diskutuar për reformat në arsim bazuar në standarde, mbështetjen në zhvillimin profesional të mësimdhënësve, me fokus përmirësimin e njohurive të nxënësve dhe rezultateve të tyre në lexim dhe matematikë.

Nagavci dhe ministri Gibb ndër të tjera kanë folur edhe për procesin e digjitalizimit në arsim, llogaridhënien në sistemin arsimor, kurrikulat dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me ç’rast edhe është ftuar që të jetë pjesë e Forumit Botëror të Edukimit për të trajtuar tutje idetë, sfidat dhe rezultatet në përmirësimin e cilësisë në arsim, shkruan arbresh.info

Ndërsa, në takimin e realizuar me përfaqësuesit e British Council, ministrja Nagavci ka adresuar çështje të rëndësishme të cilat ndërlidhen me përmirësimin e dialogut të politikave arsimore, prioritetet e financimit në sektorin arsimor, portofolin e Këshillit Britanik në sektorin e arsimit, praktikat e mira në zhvillimin e programeve STEM me fokus përfshirjen e vajzave/grave në këto programe dhe identifikimin e fushave për bashkëpunim në të ardhmen.

Ministrja me nikoqirët e takimit ka folur edhe për teknologjinë digjitale në shkollat që punojnë me fëmijë 6-15 vjeç, kurrikulat e TIK në Mbretërinë e Bashkuar për nxënësit 6-15 vjeç, mbështetjen që ofron ky shtet për shkollat dhe mësuesit me qëllim edukimin cilësor për të rinjtë dhe praktikat e mira në shkolla.


Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme