Google ADS

Më 24 mars mbahet seancë, me rastin e 23-vjetorit të bombardimeve të NATO-s

14:11 | 21 Mars 2022
arbresh.info

Të enjten, më 24 mars 2022, në orën 11:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë solemne, në shënim të 23-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe. Ndërkaq në orën 13:00, do të mbahet seancë e rregullt plenare.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi pritet të debatojë për politikën e jashtme.

Tutje, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe atë për Pronën Publike, ndërsa në lexim të dytë Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, si dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e dy raporteve: raportit me rekomandime lidhur me mbikëqyrjen e Ligjit për Infrastrukturën Kritike, si dhe ato lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2020.

Do të votohet po ashtu për propozimin e GP të Listës Serbe për emërimin e anëtarit në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe pritet të zgjidhen anëtarët e Komisionit për Ndihmë Shtetërore.

Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seanca do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryesia, në mbledhjen e sotme, procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, si dhe atë për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve Medicinale.

Kryesia po ashtu vendosi që në bazë të rekomandimit të Komisionit Ad-hoc, të shpallet konkursi për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare.

Në këtë mbledhje, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme