“Më 1 shtator shumë nxënës do ta kenë kokën ulur”, blerja e librave nga nxënësit “nervozon” Jasharajn

12:11 | 22 Gusht 2023
A Z

“Nuk është e drejtë”, kështu thotë kryetari i  Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASKK), Rrahman Jasharaj, për mundësinë e blerjes së librave nga prindërit për këtë vit shkollor.

Në një prononcim për Arbresh.info, Jasharaj u shpreh se kjo detyrë është dashur të kryhej me kohë, dhe jo tash në prag të vitit të ri shkollor.

“Nuk është e drejtë. Dhe shumë e gabuar kjo detyrë është dashur të kryhet me kohë dhe jo të pritet fillimi i vitit të ri shkollor, nuk punohet me tekste të vjetra”, deklaroi ai.

Për deklaratën e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci se shtëpitë botuese dhanë një çmim shumë të lartë, Jasharaj mendon se janë vetëm arsyetime.

“Për të arsyetuar gjithë këtë të bërë nga vetë ajo, ajo ia drejtoi gishtin shtëpive botuese kinse çmimet janë shumë të larta, dhe një minutë më pas tha se do të barten librat në librari, nëse janë çmimet e larta atëherë si do t’i blejnë prindërit librat”, shprehet ai.

Tutje ai thotë se më 1 shtator, shumë prej nxënieve do t’i kenë kokat e ulura, dhe fajtore është dhe do të jetë ministrja Nagavci.

“Më 1 shtator disa prej nxënëseve do të jenë me kokë ulur, përshkak se shumë familje në Kosovë nuk është se kanë shumë kushtet e mira ekonomikisht, dhe ata do të ndjehen të fyer, kjo situata i ka zënë pa përgatit edhe vetë prindërit”, thekson Jasharaj.

Ai thotë se edhe kolegët e tij do të ndihen keq, kur në momentin që hynë në klasë do të shohin shumë prej nxënësve pa libra.

“Do të ketë fëmijë pa tekste shkollore, edhe kolegët e mi do të ndihen keq duke parë nxënësit pa libra”, tha ai.

Krejt në fund kreu i SBASHKU-ut, uroi që ministrja Nagavci dhe kryeministri Albin Kurti të ulen bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje.

“Është një vendim që uroj të mos jetë vendim, uroj që zonja Nagavci pas gjithë këtij presioni të arsyeshëm të opinionit publik, të ulet me Kurtin dhe të gjejnë paratë për librat, nëse nuk po kemi laptop dhe projektor të paktën të kemi tekste të reja shkollore, i cili është mjeti i vetëm për të realizuar mësimin”, përfundoi ai.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, tha se menjëherë kanë filluar ankesat dhe shqetësimet e prindërve, për shkak se kjo e “vështirëson situatën financiare”.

Për Arbresh.info, ai tha se është krijuar një “kaos”, dhe asgjë nuk është e qartë sa i përket librave.

“Tashmë është krijuar një “kaos” tek prindërit dhe fëmijët, sepse fillimi i vitit të ri shkollor është edhe 10 ditë, dhe ende nuk është e qartë se a do siguron ministria falas librat apo do i blejnë prindërit e tyre”, u shpreh ai.

Ai tutje shprehet se me të lexuar lajmin për çështjen e librave, ka telefonuar në ministri dhe ka marr informata.

“Pasi kam lexuar shkrimin në media kam telefonuar në ministri dhe kam marr informata për këtë çështje dhe kam përcjell brengat dhe shqetësimet e prindërve. Ende nuk është definitive, pasi më është thënë, se deri në fund të javës do të vendoset se si do të rregullohet kjo çështje”, përfundoi ai.

Njohësja e Arsimit Salie Osmankaq thotë se akoma nuk ka një vendim përfundimtar sa i përket kësaj çështje.

“Së pari, çështja që librat t’i blejnë vetë prindërit, nuk është ende një vendim. Pra, MASHT, vetëm e ka paralajmëruar një vendim të mundshëm. Dhe meqë, nuk ka ende vendim, është mirë që Ministria të analizojë më mirë të gjitha rrethanat, përpara se ta kthejë këtë paralajmërim në vendim” , tha ajo për Arbresh.info

Ajo thotë se në rast se do të ndodhte kështu kjo duhet të paralajmërohet gjatë muajit qershor.

“Nëse do të duhej marrë patjetër, atëherë kjo do te duhet t’iu behej e ditur prindërve dhe shkollave shumë më përpara. Së paku gjatë muajit qershor, në mënyrë që pastaj të ketë kohë të mjaftueshme për përgatitjet e nevojshme. Sepse, çdo ndryshim kërkon kohë dhe përgatitje për implementim”, u shpreh Osmankaq.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci gjatë ditës së djeshme në një konferencë për media ka folur për çështjen e teksteve shkollore.

Ajo është shprehur se është duke u shqyrtuar mundësia që mjetet për blerjen e teksteve shkollore tu kalohen në llogaritë e prindërve.

“Jemi duke e shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të bëhet në llogaritë e prindërve, brenda dy tri ditëve do të vendoset për këtë mundësi që po e shqyrtojmë. Gjithashtu kemi përgatitur edhe platformën për aplikim në platformën e-kosova dhe kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë që në njërën anë të kemi tekste cilësore për fëmijët dhe kujdes për buxhetin e shtetit”, tha Nagavci.

Kjo ka bërë që kjo deklaratë e saj të përcillet me shumë reagime, ku u kërkua edhe dorëheqja e saj nga posti i ministres./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

 

 

 

Të ngjashme