MD thotë se është në pritje të vendimit të Gjykatës për procesin e konkursit për noterë

17:36 | 22 Shtator 2021
Përparim Bublaku

Për shkak të kërkesave të mëdha që kemi pranuar lidhur me hapjen e konkursit për noterë të rinj, Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se përderisa Vendimin mbi anulimin e provimit të noterisë, palët e pakënaqura e kanë kontestuar në Gjykatë, pa përfunduar ky proces Ministria e Drejtësisë, edhe përkundër vullnetit për të hapur konkurs sa më parë, një gjë e tillë aktualisht është e pamundur.

Ministria e Drejtësisë nuk ka informacione se në çfarë faze të trajtimit janë këto lëndë, por apelojmë që gjykata të veprojë sa më parë. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për nevojat e qytetarëve por edhe për të ndaluar monopolin dhe për të qenë në përputhje me ligjin për noterinë.

Aktualisht janë 57 noterë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa në 15 komuna nuk ka noterë.

Në këto komuna Ministria e Drejtësisë ka caktuar ushtrues detyre të noterit me qëllim të ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Shumë prej qytetarëve janë ankuar për shkak të distancës fizike me noterët që ushtrojnë detyrën për komunat përkatëse por kjo është e vetmja zgjidhje që kemi për momentin./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme