Grupi punues i Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do ta përfundojë atë brenda afateve optimale, kështu po konsideron këshilltari në Ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni.
Nimoni ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online se beson që ky projektligj është ndër më të mirët që ka pasur vendi për goditjen e keqpërdorimit të pasurisë publike.
“Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme e cili i ka hapur rrugë themelimit të grupit punues dhe hartimit të projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.
Tashmë kemi të themeluar grupin punues, i cili është duke punuar dhe duke hartuar këtë projektligj dhe ne po besojmë që në afate optimale do të jetë i gatshëm ky ligj”.“Çdo ditë, javë, muaj po punohet në këtë ligj dhe po besoj që do të jetë ndër më të mirat që do t’i ndihmojë tutje Kosovës në ndjekjen ose goditjen e këtij lloji të keqpërdorimit të parasë publike dhe natyrisht që në fund do të ketë pasoja pozitive edhe në efikasitetin e vetë institucioneve që ndjekin këtë lloj keqpërdorimi”, është shprehur ai.
Sipas Nimonit ky projektligj do të prek të gjithë zyrtarët publik, ish-zyrtarët, si dhe bashkëpunëtorët e tjerë që kanë mundur të përfitojnë në forma të ndryshme nga paraja publike.
“Subjekt do të jenë zyrtarët publik ne në këtë fazë jemi ende duke trajtuar modalitetet brenda në ligj. Është koha kur përfshihen edhe ish-zyrtarët dhe po besojmë që kjo do t’i ndihmojë tutje verifikimit të çdo lloji të keqpërdorimit të parasë publike dhe natyrisht konfiskimit të këtij lloj keqpërdorimi”.“Subjekt do të jenë edhe palët e treta, bashkëpunëtorët që anë qenë të ekspozuar politik, çdo kush që ka pasë mundësi të përfitojë në forma të ndryshme nga paraja publike. Kjo do të trajtohet dhe saktësohet mirë në projektligj dhe do të jetë i finalizuar pasi që ligji të jetë i aprovuar në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar ai.
Poashtu Nimoni ka theksuar se ky projektligj ka marrë mbështetje ndërkombëtare qysh në nismën e tij. Ai ka treguar për EO se ndërkombëtarët kanë ofruar edhe ekspertizë për të bërë një ligj sa më profesional dhe sa më të zbatueshëm.
“Qysh në fazat e para kur kemi themeluar grupin punues dhe para themelimit të tij kemi kontaktuar edhe me përfaqësues ndërkombëtar. Kemi pasë vizita të natyrave të ndryshme nga nivelet më të larta politike deri në nivel të ekspertëve dhe atyre teknik. Ne i kemi informuar se si do të jetë ky projektligj, çka mendojmë të bëjmë dhe çka është në kuadër të projekteve tona dhe ne kemi marrë një lloj mbështetje në kuptimin e asaj që le të bëhet në hapa të sigurt dhe profesional duke konsultuar instrumentet edhe ndërkombëtare”.“Ne jemi duke e bërë atë dhe ata na kanë ofruar edhe ekspertizë për të bërë një ligj sa më profesional dhe sa më të zbatueshëm. Ne jemi duke shkuar në atë linjë dhe tashmë në grupin punues ka edhe përfaqësues ndërkombëtar, ekspertë të cilët do të japin kontributin e tyre në veçanti ata ekspertë shumë vjeçare të cilët kanë përvoja në vende të ndryshme pikërisht për këtë konfiskimin me bazë civile”.
Më tej Nimoni ka njoftuar se për të nisur një procedurë për konfiskim pasurie ata pritet të angazhojnë një mekanizëm të veçantë që me shumë gjasë mund të jetë një Agjenci e Pavarur.“Ky lloj konfiskimi mundëson verifikimin e pasurisë së paligjshme që është përfituar nga zyrtarë publik dhe nëse ky lloj verifikimi shpie në rezultatin që ajo pasuri është në shpërputhje me të ardhurat e tyre atëherë do të bëhet konfiskimi i tyre e cila do të bëhet nga një organ kompetent në këtë rast nga gjykata që është kompetente me zhvillu tërë procedurën”.“Do të jetë një mekanizëm i cili do të bëjë kërkesën fillestare, ne po besojmë që do të jetë një Agjenci e Pavarur, profesionale dhe mund t’i lihet edhe Prokurorisë. Por jemi në fazën e diskutimit dhe besojmë që do të jetë agjencia në përbërjeje prej ekspertëve profesionistë që ka për detyrë të bëjë kërkesën fillestare, ta dërgojë në gjykatë e mandej gjykata është garantuese për respektimin e të drejtave të të gjithëve në një procedurë sa më fer e profesionale”.
Ai ka thekuar se akoma nuk ka një shifër konkrete.“Sa i përket kostos në këtë fazë ende nuk mundemi me pasë shifra të sakta, konkrete por ne faza të mëvonshme pasi të kemi funksionalizim të mekanizmave dhe të dimë saktë se kush do të jenë mundemi me ditë se sa do të kushtojë, do të ketë buxhetin nëse do të bëhet agjencia e pavarur” ka përfunduar ai.
Ndërsa në anën tjetër Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë për Ekonomia Online se dyshon që gjyqtarët dhe prokurorët që ka vendi do të kenë vullnetin dhe guximin për të zbatuar këtë ligj.
“Ministria e Drejtësisë është duke punuar në dokumentin që ka të bëjë me konfiskimin civil të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme. Për Institutin e Kosovës për Drejtësi që në filliim ka qenë e qartë që Kosova ka një bazë ligjore jashtëzakonisht të avancuar si në aspektin e konfiskimit tradicional ashtu edhe modern. Fatkeqësisht sistemi gjyqësore dhe sistemi prokurorial mund të themi që në vitet e fundit nuk kanë pasur vullnet dhe guxim për të zbatuar këtë legjislacion andaj nëse gjyqtarët, prokurorët, institucionet nuk i zbatojnë obligimet të cilat janë ligjore atëherë dyshojë që të njejtit mund ta bëjnë këtë me një ligj të ri”.
Sipas Miftarajt përderisa që 10 vjet në Kosovë janë konfiskuar vetëm 2 milionë euro është e dyshimtë që ky ligj do të sjellë rezultate konkrete.“Në anën tjetër me vetë faktin që kjo siç duket është një qëllim i pakontestueshëm i Ministrisë se Drejtësisë i kësaj Qeverie për ta proceduar këtë ligj është shumë e rëndësishme që edhe në grupet punuese ku jemi duke marrë pjesë të sigurohet që të drejtat dhe liritë e qytetarëve të respektohen, siguria juridike të jetë në masën më të madhe”.
“Nëse marrim për bazë këta gjyqtarë e prokurorë si dhe nëse marrim për bazë faktin që për 10 vite nuk janë konfiskuar më shumë se 2 milionë euro, atëherë unë dyshojë që të njëjtit persona vetëm se do ta kemi një ligj të ri do ta bëjnë punën më mirë apo do të ketë rezultate konkrete”, ka përfunduar ai për EO.
Përfshihet nga zjarri një veturë në Prishtinë, policia jep d...
Mori një goditje të fortë në fytyrë nga kundërshtari, dalin ...
BBVA4 nis të shtunën, mesazhi i Sara Hoxhës: Kemi sakrifikua...
Nesër seanca e përbashkët plenare, deputetët shqiptarë dhe k...
Ledri Vula lanson këngën e re “Oj oj oj”
Osmani: E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për...