Google ADS

Mbyllen 4 lokale për shkak të papastërtisë

20:03 | 17 Maj 2018
Arbresh.info

Inspektorati Komunal në Ferizaj ka mbyllur 4 lokale që gjenden përballë shkollës fillore “Tefik Çanga”.
Këto lokale janë mbyllur për shkak të dyshimit se nuk i plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, dokumentin e pëlqimeve si dhe librezën sanitare të këtyre bizneseve.

Gjatë inspektimit të këtyre lokaleve nga inspektorët sanitar dhe të tregut ka rezultuar se ato nuk përmbushin kushtet minimalo-teknike higjieno-sanitare dhe sipas raportimeve nga banorët e zonës, ka dyshime edhe për zhvillimin e dukurive devijante. Lidhur me këtë aksion, koordinatori i Inspektoratit Komunal, Ridvan Berisha ka deklaruar se Inspektorati është më aktiv se asnjëherë më parë, kjo me mbështetjen direkte nga kryetari i komunës, Agim Aliu.

“Edhe sot, në vazhdën e aktivitetit inspektues kemi ndërmarr një aksion për kontrollin e disa lokaleve përballë shkollës fillore ‘Tefik Çanga’, zonë kjo që edhe më herët është raportuar nga qytetarët për dyshimet se po zhvillohen aktivitete devijante dhe të rrezikshme për shkak afërsisë që ka me shkollën. Ne sot kemi mbyllur 4 nga 6 lokalet që kemi inspektuar, për faktin se nuk kanë plotësuar kushtet higjieno-sanitare dhe kanë mungesa të dokumentacionit”, thuhet në një komunikatë nga komuna e Ferizajt. Sipas tij ky aksion do të vazhdojë edhe ditëve në vijim në zona të tjera të qytetit si dhe me një koordinim më të gjerë edhe me mekanizma të tjerë institucional, gjegjësisht të sigurisë dhe të drejtësisë.

“Përkitazi me këto raste ne do të shqiptojmë gjoba administrative-mandatore. Presim që edhe organet e drejtësisë përkitazi me këto raste, pas hetimit, të shqiptojnë masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi në vendin tonë,” tha Berisha.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme