Google ADS

Mburremi që i patëm

08:15 | 17 Shkurt 2017
Arbresh.info

Kosova ka dhënë shumë figura të shquara, me të cilët kosovarët mund të ndjehen krenar para botës. Nënë Tereza, Hasan Prishtina, Selman Riza, Bekim Fehmiu, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Adem Jashari, Gani Bobi, Atë Shtjefën Gjeçovi, Nexhmije Pagarusha, Anton Çetta, Faruk Begolli… janë vetëm disa nga figurat e shquara që ka nxjerrë ky vend.

Shkencëtarët dhe historianët e Ballkanit kanë vërtetuar se këto treva kanë nxjerrë figura të mëdha, të cilët kontribuuan në ngritjen e civilizimit botëror. Leka i Madh, është njëri ndër ta.

Në këtë mozaik ballkanas, edhe Kosova, nuk mbetet mbrapa me figura të shquara, çka mund t’i bëjnë krenarë për të parët e tyre shtetasit e Kosovës, shtetit të ri që do të lindë sot pasdite.

Pa dyshim, Nënë Tereza është figura kryesore identifikuese e shtetasve të Republikës së Kosovës. Në vitin 1979 ajo kishte marrë Çmimin Nobel për Paqe, duke u bërë kështu nobelistja e parë shqiptare dhe gjatë vitit 2016, Nëna Terezë është Shenjtëruar nga Papa Francesku.

Nënë Tereza apo Gonxhe Bojaxhiu ka lindur në Shkup të Maqedonisë, mirëpo të dy prindërit e saj ishin kosovarë. Babai i saj, Kola kishte mbajtur deri në vdekje plisin kosovar. Por nuk është vetëm Nënë Tereza e vetmja figurë e pranuar dhe vlerësuar nga mbarë bota e qytetëruar.

Ish Presidenti Ibrahim Rugova dhe veprimtari Adem Demaçi janë shpërblyer me çmimin Saharov për Paqe. Dy kosovarë tjerë, Bekim Fehmiu dhe Faruk Begolli, kanë bërë nam në një fushë tjetër -Kinematografinë. Por këta nuk janë të vetmit.

Gazeta Express, përmes historianëve, sociologëve dhe filozofëve kosovarë, ka tentuar të bëjë një listë të figurave tona të njohura. Sigurisht kjo listë nuk është e plotë, por ajo mund ta ketë simbolikën e vet ditën e sotshme.

Historiani Jahja Drançolli ka treguar se ky vend ka mjaft figura të shquara për të cilët Kosova mund të mburret. Ndër më të shquarit, ai e konsideron Atë Shtjefën Gjeçovin, murgun kosovar që i dha frymën perëndimore Kosovës dhe kosovarëve.

Mirëpo në krye të emrave, ai vuri Nënë Terezën, e cila sipas tij, edhe pse ka lindur në Maqedoni, nënë e babë i ka kosovarë. Gjithashtu ai vlerësoi lartë edhe kushëririn e Nënës Terezës, Anton Çettën, i cili ka kontribuar dhe dhënë shumë vlera civilizimi këtij populli.

Emra tjerë, sipas tij, janë edhe Muslim Mulliqi, si ndër artistët më të mëdhenj në regjion dhe Europë.

Gjithashtu ai tha se nuk duhet harruar Ali Hadri si historian, Ibrahim Rugova si politikan dhe njeri i paqes dhe kryesor për një periudhë të caktuar. Historiani Dranqolli tutje ka vlerësuar lartë edhe figurën e Bedri Pejanit, Martin Seganit, një historian i madh, i cili ka shkruar për historinë e Skënderbeut 40 vjet para Marin Barletit.

“S’duhet harruar, Adem Jasharin, Nexhmije Pagarushën, Azem Bejtën e shumë tjerë”, ka thënë ai. Një vlerësim tjetër ka dhënë sociologu Ibrahim Berisha.

“Selman Riza, është njeriu më i madh që ka lindur në Kosovë e që ky vend mund të mburret me të”, thotë ai. Sipas tij, Selman Riza është intelektuali më i madh dhe themeluesi i parë i një instituti shkencor në Kosovë në vitin 1944.

Ai, sipas Berishës, ka sjellë frymën perëndimore në Kosovë. Kreator i identitetit kosovar. Berisha, më pas përmendi Adem Demaçin, si simbol të rezistencës dhe i cili ka fituar çmimin për paqe, Bekim Fehmiun si aktor i madh botëror dhe Nexhmije Pagarushën si një bilbil i Kosovës.

Hasan Prishtina, gjithashtu është ndër njerëzit më të mëdhenj në historinë e Kosovës, bashkë me Gjon Sereçin. Mandej Bajram Curri, Isa Boletini, Azem Galica. Së voni, tha ai, janë Ibrahim Rugova, Adem Jashari dhe shumë tjerë të cilët mund të përmenden.

Njëjtë edhe Milazim Krasniqi, sociolog, personalitetin e Selman Rizës e konsideroi si më të shquarin në Kosovë. Ky vend, tha ai, ka lindur një njeri të madh, i cili ka qenë një in telektual, shkencëtar dhe njeri i cili ka kontribuar shumë këtij vendi.

“Për këtë ai edhe u maltretua dhe u përndjek nga Kosova”, tha Krasniqi.

Filozofët Shkëlzen Maliqi dhe Halil Matoshi nuk ikën fort prej emrave të kësaj liste të përmendur nga historianët dhe sociologët kosovar. Maliqi, tha se ndër figurat më të cilat Kosova mund të mburret janë Fehmi Agani, si sociolog i shquar dhe mendimtar.

Nexhmije Pagarusha, si një këngëtare e madhe bashkë me Bekim Fehmiun, i cili ka arritur majat e kinematografisë botërore.

E, në krye të tyre ai vendosi Nënën Terezë, si ikonë e bamirësisë në botë. Ai konsideroi edhe Adem Demaçin, Ibrahim Rugovën, Anton Çettën, Muslim Mulliqin, Hasan Prishtinën dhe shumë figura tjera kosovare si të shquara dhe Kosova mund të mburret me ta.

Nëna Terezë dhe Hasan Prishtina, për Halil Matoshin, janë dy figurat më të shquara që ka pasur Kosova. Pa u lëshuar në komente për Nënën Terezë, ai thotë se Hasan Prishtina ka qenë një njeri properëndimor dhe intelektual i vërtetë.

“Hasan Prishtina ka qenë kryengritësi i parë kundër komunizmit dhe njeri i cili ka sjellë frymë properëndimore në Kosovë”, tha Matoshi.

Ai shtoi se emër i madh është edhe Shaban Polluzha, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Ibrahim Rugova, Bekim Fehmiu, Gani Bobi e shumë figura tjera që i njeh bota dhe ne mund të mburremi me ta. /Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme