Mbrojtja e Pjetër Shalës përmes një parashtrese lidhur me shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit, ka kërkuar nga Paneli i Dhomave së Specializuara të Kosovës (DhSK) që Shalës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
“Mbrojtja me respekt kërkon nga Paneli që t’i japë fund ndalimit të vazhdueshëm të të akuzuarit dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm ose vendosjen e tij në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë, duke iu nënshtruar çdo kushti që konsiderohet i përshtatshëm”, thuhet në parashtresë.
Aty thuhet se mbrojtja mban qëndrimin e saj se ekzistojnë masa të përshtatshme alternative ndaj paraburgimit dhe që duhet të merren parasysh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Për shembull, kërkesa që i akuzuari të qëndrojë në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë mund të zbusë mjaftueshëm çdo rrezik të mundshëm që vjen nga lirimi i përkohshëm i të akuzuarit”, thuhet tutje.
Po ashtu, sipas mbrojtjes, i akuzuari përsërit gatishmërinë e tij për t’u angazhuar dhe për të dhënë çdo garanci që konsiderohet e përshtatshme për të qëndruar në shtëpinë e tij, për të mos ndryshuar vendbanimin e tij, për të dorëzuar pasaportën dhe dokumentet e tjera të udhëtimit, për të raportuar çdo ditë në policinë belge ose autoritete të tjera të rëndësishme, t’i nënshtrohet monitorimit të ngushtë nga autoritetet, të paraqitet dhe të kthehet në gjykatë sa herë që urdhërohet për ta bërë këtë, dhe/ose t’i nënshtrohen çdo kushti tjetër që konsiderohet i përshtatshëm dhe i urdhëruar nga Paneli.
Po ashtu, thuhet se mbrojtja i mbështet plotësisht parashtresat e saj të mëparshme mbi paligjshmërinë e vazhdimit të paraburgimit të të akuzuarit.
Sipas mbrojtjes, siç është përsëritur së fundi nga Paneli, prezumimi i pafajësisë së të akuzuarit është pika fillestare për vlerësimin e vazhdimit të paraburgimit dhe barra për të vërtetuar se vazhdimi i paraburgimit është i domosdoshëm i takon vetëm Prokurorisë.
Ata theksojnë se e drejta për liri duhet të jetë rregull dhe paraburgimi duhet të jetë përjashtim, i cili lejohet vetëm kur tregohet se është rreptësishtë e nevojshme dhe proporcionale në atë që asnjë masë alternative nuk mund të zbusë një rrezik të paraqitur nga lirimi i përkohshëm.
Mbrojtja rithekson se siç konstatoi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, arsyet e përmendura për urdhërimin dhe zgjatjen e paraburgimit nuk duhet të jenë as të përgjithshme dhe as abstrakte dhe se për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit, kërkohen fakte specifike.
Sipas mendimit të mbrojtjes, thirrja e vazhdueshme e Prokurorisë në “stimujt dhe mjetet” e të akuzuarit pa ndonjë justifikim të mëtejshëm, si dhe “klima e përgjithshme e lartpërmendur e frikësimit […] dhe ndërhyrjes” nuk arrin të përmbushë testin e rreptë dhe të individualizuar për t’u aplikuar kjo masë.
Mbrojtja thekson se nuk ka pasur asnjë provë apo material tjetër me kusht që të tregojë se i akuzuari ka ndërhyrë ose mund të ndërhyjë me ndonjë dëshmitar në procedurë.
Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.
Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.
Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, kurse e përfundoi më 6 qershor.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë a...
OpenAI lanson falas aplikacionin ChatGPT në Windows
Tahiri: Arbërien e “Pambukut dhe Kullashkut” vështirë se mun...
Bedri Hamza merr mbështetje nga Taulant Xhaka
”Nëse e nxen përpara, ta jap dorën!”, Edi e Driloni në betej...
Kica-Xhelili i reagon Kurtit: Doracakët i keni miratuar e sh...