Aktakuzë nën presionin medial është quajtur aktakuza kundër të akuzuarve në rastin e njohur si rasti “Pronto”, ku janë të akuzuar ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ministri i Inovacionit e Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Arbenita Pajaziti, Njazi Kryeziu, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ilhami Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj si dhe Rexhë Abazi, raporton Arbresh.info.
Mbrojtësit e të pandehurve në këtë çështje penale, të hënën në shqyrtimin dytësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë paraqitur kundërshtimet e tyre rreth akuzave ndaj klientëve të tyre, ku kanë kërkuar nga gjykata që aktakuza e ngritur nga prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari të hudhet poshtë , duke e quajtur atë aktakuzë nën presionin medial.
Avokatët deklaruan para kryetarit të trupit gjykues, Shashivar Hoti se qëndrojnë prapa kërkesave të tyre për kundërshtimin e aktakuzës.
Mbrojtësi i Adem Grabovcit, avokati Florent Lafiaj pohoi se qëndron prapa kundërshtimeve me shkrim që i kishte dorëzuar në gjykatë.
“Nuk kam çka me i shtuar atij kundërshtimi dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës”, u shpreh Latifaj.
Qëndrimin e mbrojtësit të tij e mbështeti edhe i akuzuari Adem Grabovci.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Njazi Kryeziut, avokati Kujtim Kërveshi e ka quajtur aktakuzë nën presionin medial aktakuzën në rastin “Pronto”.
“Qëndroj në tërësi pranë asaj në të cilin e kam dhënë me shkrim dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës. Kjo aktakuzë më shumë ka të bëj me presionin publik, pasi s’ka të bëj asgjë me veprimet inkriminuese ndaj klientit tim”, është shprehur Kërveshi.
Pas mbrojtjes dhe të akuzuarve, erdhi radha që edhe prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari t’i jap kundërshtimet e saj.
Prokurorja Hajdari pohoi se kjo çështje penale trajton një fenomen të ndarjes së posteve mbi baza politike apo personale.
“Unë do ta shfrytëzoj mundësinë ligjore për ta dhënë kundërshtimin në mënyrë gojore. Si përgjigje në kundërshtimet e të pandehurve dhe avokatëve të tyre do të doja të theksoja se kjo çështje penale trajton një fenomen të ndarjes së posteve mbi baza politike apo personale”, ka thënë ajo.
Ajo mohoi në çfarëdo mundësie që aktakuza të jetë ngritur nga presioni medial. Megjithatë, sipas saj nuk është hera e parë, por as e fundit që prokuroria inicion hetime pas raportimit në media, shkruan Arbresh.info.
“Këtu u dëgjua nga një avokat se aktakuza është ngritur nën presion të mediave, çka nuk është e vërtet. Është e vërtet që prokuroria ka iniciuar hetimet nga ajo çka është raportuar në media dhe nuk është hera e parë as e fundit që prokuroria fillon një hetim nga raportimi në media. Nga provat për ngritje të aktakuzës nuk kanë qe ë të njohura dhe të transkriptuara në rastin e Adem Grabovcit. Ata që posedojnë transkriptimin e këtyre përgjimeve, mund ta shihni qartë se përgjimet në rastin e MTI-së ishin bërë në bazë të çështjes penale në atë kohë. Unë si prokurore e çështjes kam siguruar që këto biseda të paraqitura në aktakuzë të transkriptohen nga Policia e Kosovës”, është shprehur Hajdari
Prokurorja speciale theksoi se me të pranuar këto transkriptime dhe provat tjera të siguruara, Prokuroria ka ardhur në përfundim se ekzistojnë veprat penale si në aktakuzë. Sipas saj askund nuk shkruan që këto prova( përgjime) nuk mund të përdoren.
Prokurorja me këtë rast ia dorëzoi kryetarit të trupit gjykues vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me aprovimin e masave të fshehta në këtë rast.
“Unë e kam aktvendimin nga Gjykata e Apelit të Kosovës ku thotë se pavarësisht që personat e tjerë nuk ishin në përgjim, këto prova të siguruara kundër një të pandehuri që janë aplikuar prova të fshehta mund të përdoren. Këto biseda inkriminuese të cilat prokuroria i ka marrë si një”, ka thënë prokurorja Hajdari.
Pasi prokurorja përfundoi kundërshtimet e saj, kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti u bëri thirrje mbrojtësve që të shprehin kundërshtimet e tyre dhe kjo bëri që prokurorja Drita Hajdari të kundërshtoj.
“Asnjë dispozitë nuk lejon me zhvillu debat pasi prokurori t’i shpreh kundërshtimet e veta”, tha Hajdari.
Ndërkohë reagimi i kryetarit Shashivar Hoti ishte i prerë.
“Ulu. Pa të dhënë leje unë mos u ngrit”, iu drejtua Hoti prokurores speciale.
Kundërshtime të ashpra gjatë seancës pati edhe mes prokurores Drita Hajdarit dhe mbrojtësit të Besim Beqajt, avokatit Besnik Berisha.
Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hiti disa herë ia tërhoqi vërejtjen prokurores dhe avokatit Berisha për ndërhyrje pa marrë fjalën nga gjykata.
Avokati Besnik Berisha duke shprehur kundërshtimet e tij ndaj kësaj aktakuze theksoi se prokuroria nuk u përgjigj në pretendimet e mbrojtjes.
“Unë prita sot që prokuroria do të jepte përgjigje me pretendimin tonë se po këta kanë kamufluar për ti ikur institutit të parashkrimit absolut të ndjekjes penale, sepse asnjëri që paraqitet në akuzë nuk ishte në atë kohë në fushëveprimtarin e tyre për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit”, u shpreh Berisha.
Ai kërkoi nga gjykata që ta hudhë poshtë aktakuzën ndaj Beqajt si të pabazuar. Berisha e ka quajtur aktakuzën e prokurores Hajdari një aktakuzë sa për të larë fytyrën.
“Këtë aktakuzë nuk mundesh me quajt ndryshe, veç se me la fytyrën. Prokuroria mungesën e argumenteve dhe provave u mundua ta mbuloj duke filluar nga sulmet drejt gjykatës, të akuzuarve. Ne jemi dëshmitarë se kësaj prokurorie u rrëzohen aktakuzat në këtë gjykatë, por kurrë s’ka reaguar si në këtë çështje penale”, u shpreh avokati Berisha.
Pas përfundimit të kundërshtimeve kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti beri të ditur se brenda afatit ligjor gjykata do të vendos rreth kërkesave për kundërshtimin e aktakuzës.
Ndryshe, aktakuza e prokurores së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, përpos Grabovcit, Pajaziti e Beqajt, ngarkon edhe ish-kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziun, aktualisht këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ish-shefen e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj e ish-këshilltarin politik në MPB, Sedat Gashi.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.
Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.
Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.
Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabvoci.
Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual
Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.
Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave./Arbresh.info
Mali i Zi vendos ta ekstradojë në SHBA “mbretin e kriptovalu...
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...