Google ADS

Mbrojtja e Veselit: S’ka asnjë dëshmi që Kadri Veseli ka kryer apo ka urdhëruar ndonjë krim

15:28 | 4 Prill 2023
Emir Abduramani

Avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emerson, ka thënë sot para trupit gjykues se UCK-ja ka qenë një ushtri guerile me një grup të shqiptarëve të paarmatosur dhe të pastërvitur mirë.

Emerson ka treguar se nuk ka pasur asnjë dëshmitar që ka parë Kadri Veselin duke bërë diçka të dyshimtë apo duke kryer ndonjë nga krimet e pretenduara në akuzat të cilat i ka ngritur Prokuroria Speciale.

“Ishte një dëshmitar i prokurorisë i cili pretendonte se e kishte parë Veselin në Kukës, por ishte e dukshme që në fillim edhe pas deklaratave të tij se ky dëshmitar ishte gabuar tërësisht në identifikimin e zoti Veselit dhe kështu ai ishte shprehur edhe vetë. Javën e kaluar prokuroria na dha njoftim se tash e pranon se ky dëshmitar e kishte pasur gabim, rrjedhimisht, prokuroria nuk propozon të paraqes prova në lidhje me këtë rast”, shpjegoi Emerson.

Ai theksoi se s’ka asnjë dëshmitar i cili vërtetohet se ka parë Veselin duke kryer çfarëdo lloj krimi të pretenduar.

Emerson tha se si shef i shërbimit inteligjent të Kosovës, Veseli nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe nuk ka firmosur asnjë dokument që përbënte kryerjen e ndonjë vrasjeje apo krime të tjera.

“Në kuptimin e plotë të fjalës nuk ka asnjë provë shkresore të tij për kryerjen e këtyre veprave”, tha avokati.

Për akuzat që kanë të bëjnë me keqtrajtimin dhe përndjekjen e njerëzve të LDK-së në atë kohë, mbrojtja tha se dokumenti i vetëm i nënshkruar i Veselit si shef i SHIK-ut ka qenë ai i bashkimit të UÇK-së me FARK-un.

Ky dokument, u paraqit si dëshmi se FARK-u është përfshirë në kuadër të UÇK-së  në një forcë të vetme.

“Kjo ia dëshmon të kundërtën pretendimit të prokurorisë se UÇK-ja ka dashur të eliminojë dhe t’i përndjek anëtarët e LDK-së, asnjëherë s’ka pasur diçka të tillë. Këtë e tregon fakti se shumica e anëtarëve të UÇK-së kanë qenë përkrahës të LDK-së”, theksoi ai.

“Prokuroria dëshiron që tërthorazi ta mbajë përgjegjës zotin Veseli për këto vepra, kinse ai ka bërë politika kriminale”, tha ai./Arbresh.info

Të ngjashme