Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, thotë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka demonstruar se është e paaftë për të përmbushur në mënyrë konsistente afatet e përcaktuara nga vet ajo dhe nga gjyqtari i procedurës paraprake.
Në kërkesën e mbrojtjes për certifikim për ankesë ndaj ”Vendimit mbi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për të ndryshuar listën e saj të provave dhe për të autorizuar masa mbrojtëse”, thuhet se kontesti aktual rrjedh nga shkeljet e pranuara të ZPS-së të detyrimeve të saj për zbulim dhe afatit përfundimtar për dorëzimin e listës së saj të provave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ata thonë se afatet kohore shpërndahen në mënyrë të njëanshme, ndryshohen në mënyrë retroaktive dhe vazhdojnë të zhvendosen mbrapsht për muaj të tërë, duke justifikuar vëzhgimin e mbrojtjes se afatet nuk kanë më kuptim për ZPS-në.
Mbrojtja thotë se në rastin e fundit, ZPS-ja ka parashtruar dhe gjyqtari i procedurës paraprake ka pranuar se asnjë paragjykim nuk lind nga zbulimi me vonesë i materialeve të mëtejshme dhe ndryshimeve të propozuara në Listën e Ekspozimeve të ZPS-së, javë pas afatit të ZPS-së, 17 dhjetor 2021.
Tutje, thuhet se materiali i mëtejshëm në fjalë përfshin 132 dokumente që i përkasin Rregullës 102 (1) (b), të cilat nuk ishin përfshirë në paketat e mëparshme të zbulimit (“Material i mëtejshëm”).
“Për pjesën më të madhe të materialit në fjalë, ZPS as nuk përpiqet t’i ofrojë Gjykatës një arsyetim për vonesën. Siç theksoi gjyqtari i procedurës paraprake, “ZPS nuk: (i) shpjegon pse disa nga dokumentet janë marrë vetëm në këtë fazë; ose (ii) justifikoni shkeljet e supozuara administrative që shkaktuan mosidentifikimin e Materialeve të Mëtejshme që duhej të ishin përfshirë në Listën e Ekspozimeve të paraqitur më 17 dhjetor 2021”, thuhet në këtë shkresë.
Sipas tyre, pavarësisht kësaj, në vendimin e kundërshtuar, gjyqtari i procedurës paraprake nuk parashikon mjete juridike për shkeljet e ZPS-së dhe nuk vendos asnjë pasojë për sjelljen e saj.
“Duke vepruar kështu, ai ka bërë gabimet e cekura më poshtë, të cilat garantojnë ndërhyrjen e Kolegjit të Gjykatës së Apelit. Prandaj, në përputhje me rregullin 77 të Rregullores dhe nenin 45 të Ligjit, Mbrojtja aplikon për leje për ankesë nga Vendimi i kundërshtuar për çështjet e detajuara më poshtë”, thuhet në shkresë.
Çështja 1 sipas mbrojtjes është nëse gjyqtari i procedurës paraprake gaboi në përfundimin se “nuk lind asnjë paragjykim ndaj mbrojtjes”, pasi dështoi të marrë në konsideratë ose nuk i dha peshën e duhur paragjykimit të ngritur nga mbrojtja.
Çështja 2 thuhet se është nëse gjyqtari i procedurës paraprake gaboi duke u mbështetur në aftësinë e mbrojtjes për të kryer “hetime pasuese” në lidhje me materialin e mëtejshëm, duke vendosur gabimisht barrën mbi mbrojtjen për të korrigjuar shkeljet e ZPS-së.
“Dhe çështja 3: Nëse, duke u mbështetur në vëllimin e supozuar të zbulimit të vonuar në krahasim me objektin e materialit të zbuluar tashmë, gjyqtari i procedurës paraprake gaboi duke krijuar një shkallë rrëshqitëse të përputhshmërisë së ZPS-së me detyrimet e saj për zbulim, e cila ndryshon në varësi të madhësisë së çështjes, e cila nuk ka bazë në kornizën statutore apo praktikën e Dhomave të Specializuara”, thuhet tutje në shkresë.
Në fund, thuhet se për arsyet e mësipërme, mbrojtja kërkon që gjyqtari i procedurës paraprake t’i japë leje për të apeluar çështjet në pajtim me nenin 45 (2) të Ligjit dhe rregullin 77 (2).
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.
Daut Haradinaj: Kurti po injoron shkeljen e të drejtave të s...
Aktakuzë ndaj një mjeku të QKUK-së që lëshojë dokument të fa...
Rritet numri i të vrarëve në sulmin rus në Odesa
Chiesa rikthehet në Itali, afër gjigantit italian
Bedri Hamza në Zvicër: Diasporën do ta kemi edhe në Kuvend d...
Ishte në kërkim nga drejtësia, arrestohet një 40 vjeçar në H...