Mbrojtja e Hashim Thaçit, ka kërkuar nga dëshmitari Frederick Abrahams, nga OJQ-ja ndërkombëtare “Human Rights Watch”, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të tregojë emra të njerëzve të cilët i kanë intervistuar dhe mbi bazën e tyre kanë shkruar raporte për krimet e pretenduara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Fillimisht, dëshmitari tha se ishte praktikë e tyre të merrnin shënime në intervista të kryera në terren por se të njëjtat konsiderohen konfidenciale dhe nuk shpërndahet me të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I pyetur nga avokati Gregory Kehoe që Abrahams të jepte emra të personave që kishin shprehur frikë të flisnin për krimet e pretenduara të UÇK-së, dëshmitari tha se këtë nuk është në gjendja ta bëjë.
Ai bëri të ditur se nuk ka shikuar këto shënime kur ka ardhur të dëshmojë para trupit gjykues dhe se nuk i kujtohet nëse i ka parë të njëjtat para intervistimit nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
I pyetur se a pajtohet se është e rëndësishme të dihet kush, kur dhe ku i ka shprehur këto shqetësime, dëshmitari tha se pajtohet me këtë por se ai flet nga ajo që i kujtohet nga hulumtimet në tërësinë e tyre.
Më tej ai u pyet edhe nëse e din se kush janë pjesëtarët e familjeve të cilët pretenduan se të afërm të tyre ishin kidnapuar se akuzoheshin si bashkëpunëtorë, por Abrahams sërish tha se nuk mund ta jap sot këtë përgjigje.
Ndërkaq, lidhur me takimin e tij dhe kolegut të tij me Thaçin dhe Famir Limaj, dëshmitari tha se nuk i kujtohet të ketë marr shënime gjatë takimit por se e di që ka shkruar një përmbledhje të takimit për shefen e tij atë kohë.
Për këtë raport tha se e kishte kërkuar në arkivën e tij personale dhe të organizatës, i kishte shënuar edhe shefes së tij, por se sipas tij fatkeqësisht nuk e kishin gjetur.
Më tej për këtë takim, Abrahams tha se Limaj ishte prezantuar si shef i departamentit ligjor apo gjyqësor dhe se nuk i kujtohet nëse ishte diskutuar për burgun numër 7 ku po mbaheshin dy gazetarët serbë.
Po ashtu, dëshmitari u pyet nëse kishte dijeni se njëri nga gazetarët e pretenduar ishte i përfshirë në krime të luftës por ai tha se nuk kishte dëgjuar për këto pretendime.
Kurse, lidhur me çështje se Thaçi mbante qëndrim se kjo ishte çështje civile ndërkaq, vendimi është nga gjykata ushtarake dhe se nga kjo del që Thaçi të mos ketë ditur nëse ishte gjykatë ushtarake apo civile, dëshmitari tha se këtë ai nuk mund ta dinte por se kishte kundërthënie.
‘‘Besoj se ka pas ngatërresë, mund të i mbante UÇK-ja të ndaluar dhe UÇK-ja s’mund të ndërhynte në proces civil, kishte kundërthënie’’, tha ai.
Gjithashtu Abrahams tha se gjatë luftës vështirësia e krijimit të mekanizmave gjyqësore është e konsiderueshme por se kjo nuk i zhvesh palët nga detyrimit për të respektuar të drejtat e burgosurve.
Lidhur me hapat e Shtabit të Përgjithshëm për të bërë sistemin gjyqësor në atë periudhë, dëshmitari tha se ishte hartuar kodi i etikës, ishin krijuar gjykata ushtarake, ekzistonte drejtoria politike pranë shtabit si dhe ekzistonte edhe policia ushtarake.
Por se u përgjigj me ‘‘pajtohem’’, kur avokati Kehoe tha se situata është problematike kur ka komandantë të zonave që nuk respektojnë urdhrat që vijnë nga shtabi i përgjithshëm.
Njashtu, dëshmitari u pajtua me avokatin se me Rezolutën 1233, i vetmi subjekt me përgjegjësi për hetim, ndjekje penale dhe burgosje për keqbërësit ishte UNMIK-u.
Ashtu siç u pajtua se qeveria e përkohshme nuk kishte asnjë kompetencë nga pikëpamja ligjore.
Në vazhdim, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit.
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...