Në një shkresë drejtuar gjykatësit paraprak, Nicolas Guillou, mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi, thotë se disa dëshmitarë u kanë thënë se nuk janë informuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) se janë në listë të dëshmitarëve.
“Mbrojtja e z. Hashim Thaçi (“Mbrojtja”) paraqet vërejtje plotësuese në përgjigje të kornizës së propozuar nga ZPS për kontakte me dëshmitarët, pas informacioneve të reja të zbuluara gjatë hetimeve të saj. Mbrojtja dëshiron të sjellë në vëmendje të gjyqtarit të procedurës paraprake faktin se disa dëshmitarë i kanë thënë së fundi mbrojtjes se nuk janë informuar nga ZPS-ja se janë në listën e dëshmitarëve”, thuhet në këtë shkresë.
Tutje, thuhet se në këto rrethana, mbrojtja pohon se është veçanërisht e rëndësishme që gjyqtari i procedurës paraprake të marrë pëlqimin e dëshmitarëve përpara se të vendosë ndonjë protokoll për kontaktin me dëshmitarët, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Veçanërisht nëse ai do të kërkonte që Mbrojtja të informojë ZPS-në për vullnetin e saj që të kontaktojnë disa dëshmitarë dhe/ose që ZPS të jetë e pranishme gjatë intervistave të caktuara të Mbrojtjes”, thuhet në këtë shkresë.
Sipas tyre, gjatë hetimeve të saj, mbrojtja ka zbuluar se disa dëshmitarë të identifikuar në listën e dëshmitarëve të ZPS-së nuk ishin në dijeni se ZPS kishte vendosur dhe njoftojë zyrtarisht gjyqtarin e procedurës paraprake, palët dhe mbrojtësin e viktimave për qëllimin e saj për të thirrur ata si dëshmitarë në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve.
“Kjo vërteton edhe më tej faktin se ZPS nuk ka pyetur pikëpamjet e dëshmitarëve për kornizën e saj të propozuar. Mbrojtja pohon se në kërkimin e masave shtesë mbrojtëse, ZPS-ja ka dështuar të respektojë Rregullën 80 (2), sepse nuk ka marrë pëlqimin e dëshmitarëve për masat e propozuara shtesë. Prandaj, është veçanërisht e rëndësishme që gjyqtari i procedurës paraprake të marrë pëlqimin e dëshmitarëve përpara se të miratojë një protokoll për kontakt me dëshmitarët, veçanërisht nëse një protokoll i tillë do të pengonte disa dëshmitarë që të flasin me Mbrojtjen jashtë pranisë së ZPS-së”, thuhet në këtë shkresë.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.
”Mos më thuaj mua nuk guxon” – Xheneta ia thyen pakot e prot...
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me sigur...
Delegacioni i Maqedonisë së Veriut arrin në Kosovë, priten n...
Fitore Pacolli kapet keq me komentues për grantin 100 mijë e...
Po voziste nën ndikim të alkoolit, gjobitet shoferi në Gjila...
Gjendet pa shenja jete në banjën e një shtëpie një grua në F...