Mbrojtja e Shalës përfundon me kundra-pyetjet ndaj dëshmitarit të shtatë

12:00 | 6 Qershor 2023
Diellza Gashi

Në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), seanca e të martës po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të shtatë (me kodin 1), i cili ka filluar të përgjigjet në kundra-pyetjet e fundit të mbrojtjes.

Mbrojtësi i Shalës, avokati Mohamed Hédi Aouini ka kërkuar të kalohet në seancë private për të vijuar me pyetjet ndaj dëshmitarit.

Shala, sikurse edhe ditët tjera është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes.

Ndryshe,  ky dëshmitar ka filluar dëshminë e tij më 30 maj dhe e vazhduar edhe më 31 maj, duke iu përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) dhe mbrojtësit të viktimave, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Kurse, më 2 qershor ai ka filluar të merret në pyetje nga mbrojtja, të cilët kanë vazhduar edhe më 5 qershor.

Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme