Mbrojtja e Pjetër Shalës thotë se po kanë vështirësi të gjejnë dokumente dhe dëshmitarë të gjallë

20:21 | 4 Mars 2022
L G

Në konferencën e gjashtë mbi ecurinë e çështjes në rastin e Pjetër Shalës, prokuroria ka thënë se shpresojnë të përfundojnë hetimet brenda dy muajsh, kurse mbrojtja tha se po hetojnë si dhe kanë rrëfyer për vështirësitë e tyre.

Fillimisht, kur Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), filloi të fliste për hetimet u kalua në seancë private, e pasi u kthyen në seancë publike thanë se kanë marrë masat e duhura që të marrin masat shtesë hetimore sa më shpejtë të jetë e mundur.

Nga përfaqësuesi i ZPS-së u tha se presin të dëgjojnë nga autoritetet kompetente dhe do të jenë të gatshëm të vazhdojnë sa më shpejtë të jetë e duhur dhe se kanë bërë të pamundurën që të marrin përgjigje sa më shpejt.

“Ne shpresojmë të përfundojmë hetimet brenda dy muajve në vazhdim, ndoshta shumë më shpejtë. Por, varet nga koha kur do të na vijë përgjigja e autoriteteve kompetente. Mendojmë se përfundimi i hetimeve nuk do të zgjasë shumë, sapo të përfundojmë do të përpunojmë provat që kanë gjeneruar dhe do ia kalojmë mbrojtjes”, u tha nga ZPS, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, gjykatësi Nicolas Guillou tha se është i çuditur që ende ndodhen në këtë fazë, pasi kanë kaluar dy vite nga ngritja e aktakuzës dhe një vit nga arrestimi i Shalës.

Por, prokuroria tha se e kuptojnë këtë e nëse vazhdohet në seancë private do të shpjegonin mirë arsyet, ku më pas u aprovua kjo dhe u kalua në seancë private.

Avokati Jean-Louis Gilissen ka thënë se duan gjykim të drejtë për Shalën.

“Nuk jam i sigurt për domosdoshmërinë e një hetimi të tillë në këtë moment, prandaj mendoj se kontrolli gjyqësor do të ishte i domosdoshëm në këtë rast”, tha ai.

Ndërkaq, gjykatësi Guillou i tha ZPS-së se afati dymujor që propozojnë, përfshin edhe kohën për të kërkuar autorizim për të nxjerrë materialet e rregullës 102 (1) (b).

Lidhur me hetimet e mbrojtjes, avokati Gilissen tha se kanë filluar hetimin dhe kanë ecur me hapat e rëndësishëm.

“Por, na duhet të zbresim në terren në mars e prill për hetime, për hapa më të rëndësishëm, siç ju kam informuar po punojmë më shumë se 20 vjet pasi ka ndodhur, të gjesh dokumente tani është shumë e vështirë, të gjesh dëshmitarë që të jenë gjallë edhe kjo është punë delikate dhe të gjesh dëshmitarë të besueshëm është po kështu e vështirë”, ka thënë ai.

I njëjti shtoi se hetimi i vet prokurorisë ka kërkuar vite, kurse mbrojtja ka pak javë që ka filluar hetimet në kushte të vështira.

“Ne konfirmojmë synimin tonë për të dorëzuar një dosje paraprake, por mund të them se çdo diskutim për një datë të mundshme sa i takon dosjes paraprake është krejt jo realiste, për shkak të asaj që sapo thashë. S’po them se na duhen shumë e shumë muaj, por duke qenë se po flasim për fazë kaq të vonshme, procesi është i ngadaltë”, ka thënë ai, duke theksuar se shpresojnë të mos jetë shumë i ngadalshëm procesi.

Paraprakisht, u diskutua për nxjerrjen e materialeve, ku gjykatësi Guillou tha se vërën se është nxjerrë një paketë e zbrazët, e për këtë dha sqarim prokuroria.

“Siç e kemi informuar mbrojtjen tashmë, ne nuk kemi nxjerrë më përpara dy materiale që janë nxjerrë në janar, i kemi tërhequr më saktë nxjerrjen e dy materialeve që janë nxjerrë në janar, tërheqja e këtij materiali ka nxitur në Legal Work Flow, këtë paketë të zbrazët, ne nuk kishim ndërmend të vendosnim diçka aty, thjesht tërhoqëm materialin, ishte pasoja teknike”, ka thënë përfaqësuesi i prokurorisë.

Tutje, ai tha se prokuroria është në dijeni të afateve që i ka vendosur gjykata, përfshirë edhe ato të nxjerrjes së materialeve sipas rregullës 102 (1).

“Në fakt, ka qenë detyrimi ynë për ta nxjerër këtë material, por siç kemi shpjeguar ky dokument i shkruar me dorë është përkthyer dhe përpunuar për nxjerrje me t’u bërë e dukshme që raporti që kishim nxjerrë lidhur me këtë shënim të mbajtur me dorë nuk përmbante gjithë informacionin që përmbanin këto shënime”, ka thënë ai.

Tutje, ZPS tha se është situatë e pazakontë sepse këto shënime të mbajtura me dorë janë procesverbali fjalë për fjalë i takimit të parë që personeli i TFHS-së ka zhvilluar me atë dëshmitar dhe se nuk prisnin këtë situatë.

“Pasi i bëmë shqyrtim këtyre shënimeve të procesverbalit, i krahasuam me ato që kishim nxjerrë dhe kuptuam që i detyroheshim mbrojtjes më shumë informacion se këto të mbajtura me dorë, prandaj ia nxorëm pa kërkuar leje, por e kuptojmë se në fillim duhet të kërkojmë leje, pastaj të bëjmë nxjerrjen”, tha përfaqësuesi i ZPS-së.

Avokat Gilissen ka deklaruar se lidhur me nxjerrjen e materialeve sipas rregullës 102 (1) (b), kanë marrë disa që nuk janë nxjerrë më parë e se janë 12 materiale të mbuluara nga vendimi i 12 korrikut 2021 dhe se ende presin edhe dy nga këto materiale.

“Mund të them që në fillim se do të na duhet të rivlerësojmë nevojën për mosnxjerrjen e këtyre materialeve për të evituar probleme, vështirësi para gjykimit. Pika e dytë ka të bëjë me nxjerrjen e deklaratave të mëparshme të dëshmitarit, ne nuk ishim kundër shtimit për anë listën e provave materiale të këtij materiali, pavarësisht që është nxjerrje me vonesë, vlerësojmë se ky dokument do të jetë me rëndësi për mbrojtjen”, ka thënë Gilissen.

Sipas tij, ky shtim me vonesë duhet të trajtohet me vëmendje të madhe dhe është realitet që gjithmonë ndodhen në situatën që duhet të rivlerësojnë deklaratat e mëparshme.

“Dëshiroj të gjithë të kuptojnë që do të cenonte pozicionin e mbrojtjes, sa i takon përgatitjes efikase për gjykimin. I lutem fuqimisht ZPS të shqyrtojë nxjerrjen, sepse besojmë se këto materiale duhet të ishin nxjerrë si material shfajësues në një fazë edhe më të mëparshme. Kjo do të kishte qenë më mirë për organizimin”, ka thënë ai.

Kurse, nga ZPS u tha se nuk pranojnë që ka cenim apo paragjykim nga ana e tyre.

“Shënimi për këtë takim i është bërë me dije, raporti i është dhënë mbrojtjes dhe është e vërtetë që shënimet e mbajtura me shkrim kanë më shumë informacion, kanë të bëjnë me deklaratat e mëparshme”, ka thënë përfaqësuesi i ZPS-së, duke shtuar se kjo ka të bëjë me hollësi dhe jo deklarata të reja.

Nga mbrojtja u tha se kanë të paktën tre fakte të veçanta që nuk i kanë parë apo hasur në deklaratat e mëparshme.

“Ne nuk e kundërshtuam këtë dokument për shtesën në listën provuese, por thamë që duhet të vlerësohet nëse duhet të nxjerrjet sipas rregullës 103. Nëse kemi vonesa të nxjerrjes së informacionit në mes të nxjerrjes së informacionit, kjo na bën të jemi skeptik dhe kjo nuk është detyrë e thjeshtë”, ka thënë mbrojtja.

Sipas tyre, materiali që bie në rregullën 103, duhet të ishte nxjerrë më përpara dhe nuk pranojnë se afati kohor duhet të ishte anashkaluar.

Ndërkaq, nga gjykatësi Guillou tha se vëren se ky material i nxjerrë përmban informacione shtesë dhe mbrojtja nuk ka kundërshtime për këtë nxjerrje dhe se ZPS ka nxjerrë vetëm një material.

Ai tha se dosja gjyqësore ende nuk i ka kaluar trupit gjykues dhe se mendon se kjo i jep kohë mbrojtjes të vlerësojë këtë nxjerrje dhe se nxjerrja nga ZPS pa autorizim gjyqësor nuk ka cenuar mbrojtjen dhe se miratohet i njëjti material.

Tutje, nga ZPS u tha se kanë pesë dëshmitarë që janë pothuajse gati për t’u nxjerrë me dokumentet dhe provat përkatëse dhe do ta bëjnë këtë sa më shpejtë që është e mundur. Kurse, nga mbrojtja u tha se e mirëpresin këtë informacion që do marrin.

Sa i përket materialit sipas rregullës 102 (3), nga ZPS u tha se mund të konfirmojnë se do të nxjerrin dokumentet që janë trajtuar në vendimin e gjykatës sipas afateve dhe mënyrës së përcaktuar në këto vendim.

“Ka disa dokumente sipas rregullës 107 që do t’i diskutojmë më vonë, por ato do të shtohen tani që kemi më shumë qartësi me listën e 102(3). Kemi konstatuar gjithashtu një tjetër dokument që është një dokument që nuk bie në rregullin 107 që është kërkuar nga mbrojtja, por nuk e kemi nxjerrë”, u tha nga përfaqësuesi i ZPS-së.

Sipas tij, mbrojtja është informuar dhe do ta nxjerrin sa më shpejtë të jetë e mundur dhe ky dokument është në gjuhën serbe, e sapo të bëhet përkthimi do të nxjerret.

“Lidhur me përshkrimet si pasojë e diskutimeve shtesë me mbrojtjen kemi arritur marrëveshje, do të rishikojmë dokumentet sipas listës që nuk janë kërkuar deri tani nga mbrojtja apo nuk janë nxjerrë deri tani”, ka thënë ai.

Tutje, tha se do të vazhdojnë punën pa vonesë dhe do të jenë në pozitë të informojnë kur të kërkohet një listë të përshkrimeve për këto dokumente që janë pezull.

“Deri në fund të javës që vjen besojmë se do të jemi në gjendje të japim një informacion të saktë se kur mund t’ia japim mbrojtjes”, ka thënë ai.

Avokati Gilissen tha se sa i takon nxjerrjes së materialeve sipas rregullës 102 (3) , mund të thonë se kanë përzgjedhur dokumentet dhe kanë marrë të gjitha dokumentet me paketën 32, më 8 shkurt 2022.

“Ajo çfarë mbetet për t’u nxjerrë, janë materialet që janë përzgjedhur dhe për të cilat janë dhënë masa mbrojtëse. Më duhet të them që kemi pasur diskutime të frytshme ndërmjet palëve inter partes dhe siç e tha edhe prokurori, ne jemi duke diskutuar përshkrimet e dokumenteve, është një çështje e madhe, por po diskutojmë edhe për çështje tjera”, ka thënë mbrojtja.

Kurse, për materialet shfajësuese, avokati Gilissen tha se vërejnë përparësinë që kanë bërë me ZPS dhe se kanë marrë 380 dokumente.

“Dje e sot kemi marrë më shumë, 111 materiale gjatë ditës së djeshme dhe 25 gjatë ditës së sotme. Pra, gjërat po ecin”, tha ai.

Kurse, për përkthimet ZPS-së, tha se përkthimi i transkriptimeve të videove të paketës 34 janë të gatshme dhe do iu jepen mbrojtjes sa më shpejtë.

“Mbrojtja ka kërkuar përkthimin e katër materialeve, janë përgatitur përkthimet dhe do t’i nxjerrim së shpejti”, u tha nga ZPS.

Kurse, njësia e zyrës administrative të gjykatës, bëri të ditur se dosja paraprake është e përkthyer dhe i është dhënë mbrojtjes më 9 shkurt.

Gjykatësi Nicolas Guillou ka nxjerrë urdhër, me anë të së cilit data paraprake për kalimin e dosjes gjyqësore, në rastin e Pjetër Shalës, është caktuar 31 maji 2022, ndërkaq tha se për çdo kërkesë që ka të bëjë me këtë afat, duhet të ketë rrethana detyruese.

Këtë urdhër, gjykatësi Guillou e ka nxjerrë në konferencën e gjashtë për ecurinë e çështjes në këtë rast. /BetimiPerDrejtesi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme