Google ADS

Mbrojtësit e të dyshuarve për rastin Ivanoviq, paralajmërojnë ankesë

20:19 | 24 Nëntor 2018
Arbresh.info

Mbrojtësit e tre të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit, kanë paralajmëruar se do e kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila ua caktoi nga 30 ditë paraburgim të arrestuarëve Dragisha Markoviq, Marko Rashiq dhe Sasha Çurçiq.

Ata thanë se nuk ka prova të mjaftueshme për caktimin e masës së paraburgimit dhe se janë duke e pritur përkthimin e vendimit për të paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Avokat Dejan Vasiç ka deklaruar se ato çka Prokuroria Speciale po i cilëson si prova, janë të pabazuara dhe të pabesueshme.

”Këto janë shkrimet më të thjeshta mediatike dhe asgjë tjetër”, tha ai.

Avokati Negovan Saranoviç ka shtuar: ”Nëse aktvendimi për caktimin e paraburgimit, bazohet në faktet e ofruara nga ana e prokurorisë, jemi të bindur që ky vendim do të ndryshohet në favor të të mbrojturve tanë”.

Mendim të njëjtë kishte dhe kolegu i tyre avokat Miro Deleviç.

“Provat në të cilat bazohet prokurori special, nuk janë prova, dhe konsideroi që këtë do ta vërtetojmë në ankesën tonë, Provat nuk mund të jenë hipotetike por ato duhet të jenë konkrete”, tha ai.

Aktvendimi pritet t`u dorëzohet mbrojtësve ditën e hënë, atëherë kur edhe do të përkthehet në gjuhën serbe.

Të kundërtën e avokatëve gjatë ditës e foli Prokurori Special i Kosovës, Sylë Hoxha, i cili konsideroi se ka prova të mjaftueshme për të kërkuar paraburgimin.

“Kështu që t`u e pas parasysh që ka prova të mjaftueshme për dyshim të bazuar e kam kërkuar masën e paraburgimit”, tha Hoxha.

Ndryshe sot Gjykata Themelore e Prishtinës, konkretisht gjykatësi Arben Hoti, e ka mbyllur seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të arrestuarve për rastin Ivanoviq.

Politikani serb, Oliver Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”./kallxo.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme