Edhe në konferencën e sotme që po mbahet në Gjykatën Speciale në Hagë në rastin e krerëve të UÇK-së, mbrojtja ka shprehur kritikat e saj ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Mbrojtësi i ish-presidenti të Kosovës, Hashim Thaçit, avokati Pierre-Richard Prosper, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk po i jep informacionet e plota.
Ai, tha se ka informacione që nuk i janë vënë në dispozicion mbrojtjes nga ana e ZPS-së, andaj kërkoi që këto informacione t’i dorëzohen të plota mbrojtjes.
“Siç u theksua nga ZPS, informacioni nuk është i plotë dhe ka informacion që mungon. Ka informacione që nuk na janë vënë në dispozicion. Ne po mundohemi që të analizojmë informacionin, por besojmë që duhet të jepet më shumë. Informacioni është i një cilësie shumë të keqe dhe i palexueshëm”, u shpreh Richard Prosper, shkruan arbresh.info.
Edhe mbrojtja e ish-kryepralamentarit, Kadri Veselit, avokati Nick Kaufman u shpreh i pakënaqur me informacionet e dorëzuara nga ana e ZPS-së, duke shtuar se Prokuroria nuk është duke e kryer punën e saj siç duhet.
Po ashtu, Kaufman tha se prokurorët e ZPS-së kanë një tendencë që mos t’i japin provat mbrojtjes.
“ Në lidhje me këtë çështje, dua që të shikoni paragrafin 2 të parashtrimit që kemi bërë dje. Është thelbësore që të kemi dosjen paraprake dhe nuk ka zëvendësim për të. Ne kemi komunikuar me ZPS-në për çështjen e konfidencialitetit. ZPS ka thënë se masat kundër balancuese ende nuk janë përfunduar. Duket se nuk është bërë asnjë përparim nga ZPS për kryerjen e detyrave të saja në lidhje me materialet bazë për provat shfajësuese. Në lidhje me meta të dhënat që kemi kërkuar, ato s’kanë për qëllim që të dëmtojnë konfidencialitetin, por e ndihmojnë mbrojtjen që ta dijë sa materiale ka prokuroria dhe sa do t’i jepen mbrojtjes”, tha Kaufman.
Ndryshe, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999, shkruan arbresh.info.
Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./arbresh.info/
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?