Mblidhet Grupi për Emergjenca në Klinë, pritet vendimi lidhur me koronavirusin

19:31 | 13 Mars 2020
Arbresh.info

Në orën 20:00 do të mblidhet Grupi për Emergjenca me ftesë të kryetarit të Komunës Zenun Elezaj.

Për arbresh.info e ka konfirmuar shefi i kabinetit të kryetarit, Qëndrim Millaku, i cili tha se këtu do të merret vendimi nëse do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

“Tash nga ora 20.00 kemi thirrur takimin, Grupin për Emergjenca, besoj që do të dalim me një vendim lidhur me situatën. Nuk po mundemi të kontaktojmë me ministrin e shëndetësisë pasi edhe ata janë në takim”, u shpreh ai.

Tutje i pyetur se sa familje janë izoluar për shkak të kontaktit me të infektuarën, ai tha se nuk dihet ende numri i saktë.

“Nuk e dimë ende saktë se sa familje janë pasi që pesë-gjashtë ditë ka ardhur personi i infektuar, sipas informacioneve që kemi marrë edhe ne”, tha Millaku.

Gjatë mbrëmjes janë konfirmuar dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë.

Të infektuarit janë një italiane punonjëse në Kosovë si dhe një 77-vjeçar që kishte udhëtuar së fundmi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme