Mbi 600 mijë euro ishte shuma totale e gjobave që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa shqiptoi për subjektet politike që nuk e respektuan Kodin e Mirësjelljes në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale dhe qendrore të vitit 2017.
Në PZAP thonë se janë vetëm dy parti që nuk i kanë shlyer borxhet, e të cilat, nëse nuk i kryejnë obligimet, nuk do të mund të marrin pjesë në zgjedhje, kurdo që ato të mbahen.
Pothuajse të gjitha partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato lokale, që u mbajtën në vitin 2017, ishin dënuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për mospërfillje të Ligjit Zgjedhor dhe shkelje të kodit të mirësjelljes.
Kryesues i sekretariatit të PZAP-s, Mulë Desku, tregoi për Radio Kosovën se sa ishte vlera totale e dënimeve të shqiptuara në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe cilat parti u gjobitën më së shumti për shkelje.
“Koalicioni PAN ka qenë i dënuar më së shumti, me 158 mijë euro. Koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 71 mijë e 700 euro. Lëvizja Vetëvendosje me 62 mijë e 600. Lista Serbe me 35 mijë e 600 euro, e kështu me radhë. Gjithsej subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje kanë qenë të gjobitura me 348 mijë e 900 euro”, tha ai.
Sipas Deskut, të gjitha këto gjoba janë paguar. Ndërkohë, PZAP, për shkelje të ndryshme, i kishte gjobitur edhe partitë që morën pjesë në zgjedhjet lokale të 2017-ës. Në përjashtim të dy partive, edhe këto gjoba janë paguar, tha për Radio Kosovën Mulë Desku.
“Shuma e gjobave të shqiptuara ndaj subjekteve politike është 257 mijë e 350 euro. Prej të gjitha këtyre gjobave kanë mbetur ende pa u paguar vetëm edhe 5900 euro, nga to ‘Alternativa” nuk i ka paguar 3700 euro dhe subjekti politik “KTAP” 2200 euro”, tha Desku.
Kryesues i sekretariatit të Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mulë Desku tha se me “Alternativën” kanë një marrëveshje për pagesën e gjobës me këste, ndërsa Partia Turke e Drejtësisë deri tash s’është interesuar për të paguar dënimin.
Desku është i kënaqur me pagesën e gjobave nga partitë politike, ndërkohë që tregon se pa u paguar gjobat, asnjë parti politike nuk do të mund të certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhje, të cilat mund të mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...