Më shumë se 5,000 njerëz janë arrestuar në Kazakistan lidhur me trazirat që kanë tronditur vendin më të madh të Azisë Qendrore javën e fundit, u cituan të kenë thënë autoritetet kazake të dielën.
Në total, 5,135 persona janë arrestuar për t’u marrë në pyetje si pjesë e mbi 100 hetimeve të veçanta që lidhen me trazirat, sipas ministrisë së brendshme të këtij shteti.
Kazakistani, një vend i pasur me energji dhe me rreth 19 milionë banorë është tronditur javën e kaluar nga trazirat që u përhapën në qytete të ndryshme të vendit e ku u vranë dhjetëra persona duke përfshirë civil dhe forca të rendit.
Rritjet e çmimit të karburantit shkaktuan trazira një javë më parë në zonat provinciale perëndimore, por ato arritën shpejt në qytetet më të mëdha, duke përfshirë qendrën ekonomike Almaty, ku shpërthyen trazirat dhe policia hapi zjarr duke përdorur plumba drejt protestueseve.
Dëmet e trazirave
Ministria e Brendshme e Kazakistanit, e cituar të dielën nga media lokale, tha se vlerësimet fillestare tregojnë se dëmi i shkaktuar ndaj pronës shtetërore dhe private është rreth 175 milionë euro.
Më shumë se 100 biznese dhe banka u sulmuan dhe plaçkitën dhe më shumë se 400 automjete u shkatërruan, citohet të ketë thënë ministria e Brendshme e Kazakistanit.
“Sot situata është stabilizuar në të gjitha rajonet e vendit,” tha Ministri i Brendshëm Erlan Turgumbayev, duke shtuar megjithatë se “operacioni kundër terrorizmit po vazhdon në një përpjekje për të rivendosur rendin në vend”.
Një qetësi relative u duk se po kthehej në Almaty, me policinë që ndonjëherë qëllonte në ajër për të ndaluar njerëzit që i afroheshin sheshit qendror të qytetit, raporton AFP.
Arrestimet për “tradhti”
Përkundër faktit se forcat e rendit kanë vënë nën kontroll situatën, tashmë kanë filluar arrestimet e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të këtij shteti nën akuzat për “tradhti të rëndë”.
Të shtunën, u raportua se autoritetet kazake arrestuan ish-kreun e Komitetit të Sigurisë Kombëtare me dyshimin për tradhti.
Karim Massimov, i cili u shkarkua këtë javë nga ky organi i rëndësishëm i inteligjencës u arrestua së bashku me disa zyrtarë të tjerë, emra e të cilëve nuk u bënë publik.
Trazirat filluan si përgjigje ndaj një rritjeje të çmimit të karburanteve, por u shndërruan në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë së presidentit Kassym-Jomart Tokayev i cili mbështetet nga Rusia dhe ishte presidenti Nursultan Nazarbayev, familja e të cilit besohet se gjerësisht ka ruajtur ndikimin në Nur-Sulltan.
SHBA kundër trupave ruse
Më kërkesë të presidentit të Kazakistanit, një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia u vendos në Kazakistan gjë që nxiti reagime të shumta nga perëndimi, në veçanti nxiti reagimin e SHBA-së.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara kanë disa pyetje sa i takon kërkesës së Kazakistanit për ndihmë nga organizata e sigurisë, e udhëhequr nga Rusia.
Blinken, tha se autoritetet kazake “kanë kapacitet për t’u përballur me protestat” në atë mënyrë që do të respektoheshin të drejtat e protestuesve dhe në të njëjtën kohë duke vënë rend dhe ligj.
“Prandaj nuk është e qartë pse ata e ndien të nevojshme për të kërkuar ndihmë nga jashtë, dhe ne jemi duke u munduar që të kuptojmë më shumë për këtë gjë”, tha Blinken gjatë një konference për media më 7 janar në Departamentin e Shtetit.
Dhjetëra persona të vrarë
Mediat lokale në Kazakistan raportuan se deri më tani të paktën 13 zyrtarë të zbatimit të ligjit vdiqën në qytetin Almaty dhe 353 persona u plagosën, por numri i protestuesve të vrarë në trazira ende nuk është i qartë.
Më shumë se 1,000 njerëz në rajone të ndryshme u plagosën si pasojë e trazirave.
Prej tyre, pothuajse 400 u shtruan në spital, me 62 persona në kujdes intensiv, citohet të ketë thënën Ministria e Shëndetësisë së Kazakistanit./rel
“Krejt si unë po më duket”, Anisa shpreh pëlqim për Drilonin
Një tjetër ndryshim po vjen në versionet iOS dhe Android të ...
Shtetet në zhvillim thonë se 300 miliardë dollarët e ndarë p...
Si nisi karriera e Rovenës?
Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi ës...
Pse Sara i kërkoi falje Drilonit?