Google ADS

Mbi 400 të burgosur kërkojnë tu falet dënimi

08:15 | 24 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Kushtetuta dhe Ligji për Faljen në Kosovë i jep pushtet Presidentit të Republikës për t’i falur personat e dënuar për vepër penale, duke i liruar nga dënimi i shqiptuar nga gjykata.

 Në Shërbimin Korrektues të Kosovës, gjatë vitit 2019 janë dorëzuar mbi 400 kërkesa për falje të dënimit nga të dënuarit, shkruan arbresh.info.

Zëdhënësi për media në SHKK, Florent Gashi, ka thënë se këto kërkesa janë përcjell tek organet kompetente për procedurë të mëtejshme.

“Nga fillimi i vitit 2019 e deri më tani kemi pranuar dhe përcjellë tek organet kompetente për procedurë të mëtutjeshme 432 kërkesa për faljen e dënimit nga të dënuarit”, ka thënë ai.

Shteti përmes institutit të faljes, përmes Institucionit të Presidentit shfaq mëshirën ndaj personave të caktuar të cilët janë të dënuar me aktgjykim të formës së prerë  të shpallur nga gjykata dhe që janë në vuajtje të dënimit.

Falja zakonisht, shpallet në periudha të caktuara kohore, qoftë gjatë festave apo ngjarjeve të caktuara siç është për shembull Dita e Pavarësisë.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se përzgjedhja e të dënuarve duhet të bëhet në pajtim me ligjin dhe kriteret e procedurat e përcaktuara me ligj.

“Rrethanat që duhet të shqyrtohen gjatë dhënies së faljes përfshijnë, por nuk kufizohen në peshën e krimit; rrezikun e recidivizmit; pendimi i sinqertë i personit të dënuar dhe për vepër penale, duke i liruar nga dënimi i shqiptuar nga gjykata.  Po ashtu me qëllim që publiku dhe të burgosurit të fitojnë besimin se falja është bërë në pajtim me qëllimin e ligjit, kriteret dhe procedurat e përcaktuara me ligj, është e rëndësishme që ky proces të jetë sa më transparent i mundshëm”, ka thënë ai në një përgjigje për portalin arbresh.info

Miftaraj thotë se ky dekret është aplikuar në masë të madhe viteve e para dhe sipas tij kishin përfituar edhe persona që ishin të përjashtuar nga kjo e drejtë.

“Që nga koha kur ky institut është i aplikueshëm në Kosovë, i njëjti është zbatuar në masë të madhe në viteve te para, ku në shumë raste kishin përfituar edhe persona të cilët më ligj ishin të përjashtuar nga kjo e drejtë”, thotë ai.

Presidenti i vendit sipas Kushtetutës e ka në kompetencë faljen e të dënuarve në raste të veçanta. Zakonisht falja bëhet në ditët e shënuara siç është 17 Shkurti-dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Të drejtë të falen sipas Kodit Penal të Kosovës nuk kanë ata që ndonjëherë kanë përfituar nga falja presidenciale dhe personat të cilëve nuk u janë bërë të plotfuqishme dënimet.

Ndryshe, më së shumti të burgosur ka falur Jakup Krasniqi, të cilin viti 2011, e gjeti në postin e ushtruesit të detyrës së presidentit.

Krasniqi kishte falur lirinë për 103 persona të dënuar. Shumë më pak se Krasniqi kishte falur Sejdiu në vitin 2010. Gjatë këtij viti ai kishte falur vetëm 62 të dënuar.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga në vitin 2015 dhe 2016 nuk e kishte falur asnjë të burgosur. Derisa në vitin 2014, me vendim të saj ishin falur vetëm 2 prej të burgosurve nga 515 sa kishin kërkuar.

Ndërsa në vitin 2018, presidenti aktual Hashim Thaçi u kishte falur 21 të burgosurve disa vite burgim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme