Mbi 400 të burgosur nga i gjithë vendi i kanë kthyer sytë ka Presidenti Hashim Thaçi. Ata po shpresojnë se i pari i vendit do të ua zbusë dënimet për krimet e kryera.
Gjatë vitit të kaluar, Presidenti kishte falur vetëm 24 të burgosur, në mesin e të cilëve kishte edhe të dënuar për vrasje e familjarë të tij. Aktualisht, prapa grilave janë mbi 1 mijë e 800 të burgosur.
Një numër i madh i të burgosurve në vend po kërkojnë falje të dënimit nga Presidenti i Kosovës. Shumica e tyre, tashmë i kanë dërguar kërkesat për falje te Thaçi.
Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues, Florent Gashi i ka thënë Gazetës Express se që nga fillimi i këtij viti, ata kanë pranuar mbi 400 kërkesa për faljen e dënimit.
Gashi nuk ka treguar se për çfarë veprash janë të dënuar, duke thënë se pavarësisht veprës për të cilën janë dënuar, ata i përcjellin të gjitha kërkesat.
“Nga fillimi i vitit 2019 e deri më tani kemi pranuar dhe përcjellë tek organet kompetente 432 kërkesa për faljen e dënimit nga të burgosurit. Të gjitha kërkesat të cilat vijnë tek ne, i përcjellim për procedurë të mëtutjeshme, pa marr parasysh veprën për të cilën janë dënuar”, ka thënë Gashi.
Në Shërbimin Korrektues kanë treguar se nga falja gjatë vitit të kaluar kishin përfituar vetëm 24 të dënuar, pavarësisht se kërkesë për falje kishin bërë mbi 700.
“Gjatë vitit të kaluar kanë kërkuar faljen e dënimit 724 të dënuar, nga falja kanë përfituar 24 të dënuar. Këta persona kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale. Aktualisht në institucione korrektuese janë 1831 persona të burgosur”, thuhet në përgjigjet e ShKK’së .
Ndryshe, në mesin e atyre që Thaçi u kishte falur dënimin gjatë vitit të kaluar ishte edhe Hasan Rraci, i dënuar për vrasje.
Ai në vitin 2008, kishte vrarë vajzën e tij 15 vjeçare. Arsye për vrasjen e të bijës ishte dyshimi i tij se ajo kishte lidhje dashurie me kushëririn e largët të tij, Mensur Rracin. Për këtë vepër Rraci ishte dënuar me vetëm dy vite burg.
Çuditërisht ai nuk e kishte vuajtur gjithë dënimin e shqiptuar nga Gjykata, duke kaluar kështu vetëm gjashtë muaj në burg.
Ditën që kishte dal nga burgu kishte vrarë në mes të qytetit të Klinës kushëririn e tij 21-vjeçar, Mensur Racin. Gjykata për krimin e dytë ia shqiptoi atij 19 vite burg.
Por, vitin e kaluar, atij iu shkurtua dënimi për tri vite nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin ka edhe lidhje familjare.
Ai është bashkëshorti i vajzës së tij të axhës, Halime Rracit. Ndërkohë, që Halimja është motra e truprojës së Thaçit, Hisni Thaçit, i dënuar për krime të luftës në rastin Drenica.
Presidenti i vendit sipas kushtetutës e ka në kompetencë faljen e të dënuarve në raste të veçanta. Zakonisht falja bëhet në ditët e shënuara siç është 17 Shkurti-dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Të drejtë të falen sipas Kodit Penal të Kosovës nuk kanë ata që ndonjëherë kanë përfituar nga falja presidenciale dhe personat të cilëve nuk u janë bërë të plotfuqishme dënimet.
Ndryshe, më së shumti të burgosur ka falur Jakup Krasniqi, të cilin viti 2011, e gjeti në postin e ushtruesit të detyrës së presidentit.
Krasniqi kishte falur lirinë për 103 persona të dënuar. Shumë më pak se Krasniqi kishte falur Sejdiu në vitin 2010. Gjatë këtij viti ai kishte falur vetëm 62 të dënuar.
Ndërsa, më zemër shtrënguar për këtë çështje ishte treguar ish-presidentja Atifete Jahjaga. Ajo në vitin 2015 dhe 2016 nuk e kishte falur asnjë të burgosur. Derisa në vitin 2014, me vendim të saj ishin falur vetëm 2 prej të burgosurve nga 515 sa kishin kërkuar.
Sulm me thikë në një shkollë të Zagrebit, vdes një 7 vjeçar
Aksident mes dy veturave në Sllatinë, s’ka të lënduar
Rivarrosen tri viktima të luftës që ishin në listën e person...
Gresa e nervozuar me Xuxin, e kundërshton për gjithçka
ASK: Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 723.12 mijë ton
Sulmohet nga forcat ruse edhe ambasada e Maqedonisë së Veriu...