Mbi 400 persona kërkuan shërim jashtë Kosovës për gjashtë muaj

09:57 | 25 Qershor 2023
K.B

Mbi 400 persona kanë kërkuar shërim jashtë vendit në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Kështu ka bërë të ditur për Arbresh.info, Fondi për Sigurime Shëndetësore (FSSH).

Sipas këtij Fondi, prej këtyre 432 personave, d147 prej tyre ishin raste urgjente, ndërsa të tjerat janë të rregullta.

“Fondi i Sigurimit Shëndetësore, nga janari i vitit 2023 e deri me tani, në kuadër të Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP), ka pranua rreth katërqind e tridhjete e dy aplikacione (432), prej tyre njëqind e dyzet e shtatë (147) janë raste urgjente, ndërsa dyqind e tetëdhjete e pesë (285) janë raste të rregullta”, thuhet në përgjigje.

Në kuadër të programit TMJIShP, aktualisht sipas këtij Fondi, në pritje janë 104 aplikantë për të marrë mbështetjen financiare.

Personat që kanë aplikuar për shërim jashtë vendit në kuadër të Programit për TMJISHP, kanë të drejt të përfitojnë jo më shumë se 30 mijë euro brenda një periudhe kohore prej një viti.

E për trajtimin e këtyre personave, Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë marrëveshje më ndonjë institucion shëndetësor.

“Kosova, konkretisht Fondi nuk ka marrëveshje me asnjë institucion shëndetësor brenda apo jashtë vendit për trajtimin e pacientëve që kërkojnë mbështetje financiare, përzgjedhja e spitalit bëhet sipas kërkesës së pacientëve, në bazë të kritereve të UA. 03/2017”, thonë për Arbresh.info nga FSSH.

Fondi për Sigurime Shëndetësore mbulon shpenzimet për personat nën moshën 18-vjeçare.

“Pacienti deri në moshën 18 vjeçare, pacienti me status të invalidit të luftës, anëtarët e ngushtë të familjes së dëshmorëve, personat me aftësi të kufizuar dhe pacienti përfitues i ndihmës sociale, kompensohet në vlerë prej 100 për qind të vlerës së çmimit referent për trajtim, pavarësisht se a bëhet fjalë për rast emergjent apo jo-emergjent”, bën të ditur FSSH.

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë mbulon shpenzimet e transportit për kthim në vend në rast të vdekjes së pacientit të dërguar për mjekim jashtë vendit në kuadër të TMJISHP.

Ndryshe, sëmundjet malinje, leukemitë akute dhe operacionet e zemrës për fëmijë, janë vetëm disa nga sëmundjet për të cilat institucionet publike shëndetësore nuk po mund të ofrojnë trajtim brenda vendit./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Të ngjashme