Google ADS

Mbi 300 mjekë të papunë në Kosovë

09:55 | 11 Korrik 2020
Arbresh.info

Mbi 300 mjekë të papunë.

Më shumë se 300 mjekë në Kosovë llogariten të jenë papunë, prej të cilëve sipas statistikave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 60 për qind e tyre mendojnë largimin nga Kosova.

Në mesin e tyre, sipas kryetarit të Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu, bëjnë pjesë edhe shumë specialistë, të cilët në pamundësi ta gjejnë një vend pune, të ardhmen e tyre e shohin jashtë Kosovës.

Teksa ka folur për këtë dukuri, Sejdiu u ndal te specializimet e mjekëve, duke shtuar se nëse ky proces dështon sa i përket 100 mjekëve atëherë e vetmja alternativë e tyre do të jetë kërkimi për një vend punë në vendet e Evropës.

“Mendoj që deri në këtë moment janë 300 mjekë të cilët janë specialist të rinj dhe mjekë të punësuar dhe të papunë të cilët vetëm se kanë kërkuar apo janë larguar. Rreth 60 për qind e mjekëve mendojnë që në hapjen e parë të portave presim që 300 deri në 400 mjekë të na largohen. Tash me këtë konkursin që e ka bërë Ministria e Shëndetësisë për punësim të përkohshëm me iu ardhur në ndihmë sa i përket kapaciteteve të cilat i kemi të limituara dhe ka nevojë për mbështetje dhe një pjesë e punës së mjekëve mund të monitorohet”, u shpreh ai për EO.

“Çështja e pagesës ka qenë problem i tretë, mirëpo të tjerat kanë qenë kushtet dhe specializimet. Nëse hapen specializimet dhe nëse ai proces do të jetë i drejtë atëherë do të ketë shpresë që të pranohen. Por nëse ky proces dështon sa i përket 100 mjekëve atëherë është punë e kryer dhe ne do ti humbasim këta mjekë të rinj”, shtoi Sejdiu.

Sejdiu ka folur edhe për pandeminë, teksa thotë se me rritjen e numrit të mjekëve të infektuar në Klinikën Infektive, është shtuar edhe lodhja e tyre, të cilët për muaj të tërë kanë qenë në vijën e parë të frontit.

Mirëpo sipas Sejdiut, tashmë niveli i infektimit ka hyrë brenda personelit mjekësor dhe është e pamundur të evitohet.

“Një çështje që është evidente te mjekët është lodhja, e cila ka filluar të shfaqet jo vetëm nga ana fizike por edhe psikike tek mjekët të cilët për katër muaj kanë qenë në vijën e parë të frontit dhe brenga jonë është tek mundësia dhe riorganizimi dhe rifreskimit i këtyre kuadrove sidomos në Klinikën Infektive dhe Institut. Në disa sektorë është e pamundur të bëhet një rifreskim. Më nuk ka front të parë sepse niveli i infektimit të personelit mjekësor është rritur dhe e kemi brenda institucioneve shëndetësore, sepse të gjithë jemi në frontin e parë”, shtoi Sejdiu.

Mes tjerash, Sejdiu theksoi se 9 për qind e personelit mjekësor janë të infektuar dhe janë në vetizolim.

“9 për qind e të infektuarve janë personel mjekësor nga ta tek mjekët arrin nga diku 35 deri në 40 mjekë të cilët janë të infektuar. Një pjesë e tyre 90 janë të shëruar dhe janë kthyer mbrapa ndërsa 30 mjekë janë të infektuar dhe janë në izolim. Ne nuk diskutojmë sa i përket pagesave”, shtoi ai.

Ai tha se nuk kanë informata se a i kanë marrë të gjithë mjekët pagat nga Pakoja Emergjente, duke shtuar se menaxherët janë përgjegjës për listat.

Sipas tij, Oda e Mjekëve dhe Federata e Sindikatave kanë bërë kërkesë nga Qeveria sa i përket pagave shtesë për mjekët.

Tutje, Sejdiu theksoi se do të mbahen protestat, ku edhe do t’i shprehin pakënaqësitë e tyre.

“Nuk kam informata a i kanë marrë të gjithë mjekët pagat nga pakoja emergjente, sepse një pjesë e tyre kanë qenë në shtëpi. Dhe ka pasur pakënaqësi edhe aty me menaxherët sepse pikërisht ata i kanë bërë listat”.

“Tani jemi në një fazë të anulimit të Ligjit për Pagat, dhe jemi mbledhur të gjitha Odat bashkë me Federatën e Sindikatave dhe kemi bërë kërkesa konkrete nga qeveria, ku njëra nga ato kërkesa ka qenë që brenda dy javë ditësh të merret vendim nga qeveria për pagesa shtesë që të arrihet niveli i shumës monetare të cilat janë paraparë me ligjin e pagave që është eliminuar”, u shpreh Sejdiu.

“Ne do t’ia arrijmë që me 1 nëntor të aprovohet ky ligj bashkë me buxhetin për vitin 2021 kështu që vitin e ardhshëm të fillojmë me pagat e rregullta. Qeveria veçse ka bërë apel që të aprovohet buxheti në Kuvend. Ne në greva nuk do të hyjmë, por protestat do të mbahen me siguri, ku do ti shprehim pakënaqësinë tona”, shtoi Sejdiu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme