Google ADS

Mbi 30 për qind të popullatës nuk janë të vaksionuar kundër fruthit

19:59 | 13 Tetor 2017
M. A.

Mbi 30 për qind të popullatës nuk janë të vaksionuar fare kundër fruthit, sëmundje kjo ngjitëse e cila mund të jetë edhe vdekjeprurëse.

Mjekët kërkojnë që prindërit që nuk vaksionojnë fëmijët të dënohen.

57 raste me fruth janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive ndërkaq vetëm gjatë ditës së sotme janë paraqitur tetë raste te reja, prej tyre 4 janë në gjendje më të rëndë përderisa 75 raste të tjera pas trajtimit janë liruar në shtëpi. Të gjithë këta pacientë nuk ishin të vaksionuar kundër fruthit.

Mbi 30 për qind të popullatës nuk janë të vaksionuar fare kundër fruthit, sëmundje kjo ngjitëse e cila mund të jetë edhe vdekjeprurëse.

Mungesa e vetëdijësimit dhe informimit te prindërit për rëndësinë që ka marrja e kësaj vaksine dhe kushtet e rënda socio-ekonomike ka ndikuar që kjo përqindje të jetë e lartë.

Prindërit që nuk i vaksionojnë fëmijët duhet dënuar, thotë Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës Infektive në QKUK.

“Vaksinimi kundër sëmundjes së fruthit është vaksinë obligative dhe që nga vitet 1971-72 është fut edhe në ligjin për mbrojtjen e të sëmurëve nga sëmundjet ngjitëse. Mund të jetë ndonjë rast i rrallë në 1000 ose 2000 që mund të mos guxojë me e marrë këtë vaksinë. Janë ato që quhen kontraindikacione”, tha ai për KTV’në.

Pediatri Muharrem Avdiu, i cili është edhe drejtor në Pediatrinë e QKUK’së thotë se prindërit nuk duhet ta vënë në pikëpyetje vaksinimin. Në të kundërtën sipas tij, tash përhapja me të madhe e fruthit mund t’i prekë shumë njerëz të cilëve edhe mund t’u komplikohet gjendja.

“Unë jam 1 milionë për qind për vaksinën se i përngjiten edhe aty do farë komplikimesh, ja mundet me shkaktu a ja s’mundet me shkaktu …nuk bëhet fjalë për a mundet me shkaktu, kur vjen puna si ta kalojmë me ma shumë komplikime ose me ma pak komplikime atëherë ma pak komplikime ka kur vaksionohet”, tha ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme