Mbi 22 milion euro u sekuestruan vetëm këtë vit

09:16 | 14 Nëntor 2018
Arbresh.info

Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, përbën një nga shtyllat e luftimit të krimit të organizuar në Kosovë.

Mbi 150 milionë euro llogaritet vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara, kurse mbi 3.5 milionë euro vlera e mallrave të konfiskuara, bëjnë të ditur autoritetet e prokurorisë.

Konfiskimi nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent në pajtim me ligjin në fuqi, kurse sekuestrimi marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Ndërkaq, vetëm gjatë nëntë mujorit të parë të këtij viti, sipas prokurorit Shqipdon Fazliu, i cili është edhe Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, thotë se vlera e pasurisë se ngrirë dhe të sekuestruar është mbi 22 milionë euro, përderisa pasuri e konfiskuar është vetëm një rast, në një vlerë rreth 30 mijë euro.

“Janë mbi 150 milionë euro, ndërsa totali i pasurive së konfiskuara për vitet 2014 deri në vitin 2017 që kap vlerën mbi 3.5 milionë euro pasuri të konfiskuara, përfundimisht, ku kemi disa aktgjykime të mëdha në mesin e të cilëve është edhe rasti i një ish-gjyqtari”, tha Fazliu.

Nga ana tjetër, rreth 35 milionë 740 mijë euro ka arritur vlera e mallrave të përfituara nga veprat penale, të krimit të organizuar, pastaj nga financim i terrorizmit dhe pastrim i parave, që janë sekuestruar dhe konfiskuar nga autoritetet e Kosovës, e që janë në Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj agjencie, Rrahim Rama, tha për Radion Evropa e Lirë, se vlera më e madhe e konfiskuar dhe sekuestruar është pasuria e paluajtshme.

“Ka toka, ka objekte, ka banesa, mirëpo ka dhe një pjesë që është edhe asete të luajtshme. Te konfiskimi dominojnë pronat”, tha Rama.

Pasuria e konfiskuar dhe sekuestruar menaxhohet nga Agjencia që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e cila po ashtu bën vlerësimin e vlerës dhe pastaj mundëson shitjen e saj.

Rama si problem përmend mosprocedimin e rasteve në gjykata dhe moszbatimin e ligjit nga ana e sistemit të drejtësisë.

“Vendimet e formës së prerë gjykata i dërgon shumë me vonesë. Ka raste që edhe i marrim pas dy apo tre vjetësh. Kjo do të thotë se gjykatat nuk janë duke e zbatuar ligjin sepse kanë obligim ligjor që vendimet duhet t’i dërgojnë në Agjencinë Për Adiministrimin e Pasurive”, tha Rama.

Zyrtarët në sistemin e drejtësisë e pranojnë se kanë probleme me trajtimin e lëndëve që kanë të bëjnë me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme. Kosova e ka Ligjin për kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, por nuk e ka të kompletuar pakon e ligjeve kundër korrupsionit.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi tha për Radion Evropa e Lirë, se në këtë drejtim, pengesë paraqesin dispozitat ligjore.

“Ka paqartësi dhe sfida në këtë drejtim. Ndoshta nuk është duke ecur puna ashtu siç duhet. Disa fajin ia lënë dispozitave ligjore të proceduara e konfiskimit … ka aty mendime të ndryshme. Nuk ka një unifikim”, tha Idrizi.

Edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës, thonë se në drejtim të sekuestrimit deri më tash nuk ka rezultate të kënaqshme. Ata thonë se kësaj çështje duhet t’i kushtohet rëndësi.

“Ndoshta nuk jemi të kënaqur me sekuestrimin. Edhe ashtu është perceptimi dhe kuptimi në përgjithësi, por duhet t’i kushtohet rendësi”, tha Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se Kosova vazhdon të ketë probleme serioze me korrupsion dhe krim të organizuar. Sipas tyre, ende nuk janë marrë veprime serioze ndaj këtyre dukurive negative.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha për Radion Evropa e Lirë se, prokuroritë dhe gjykatat kanë dështuar në trajtimin e këtyre rasteve.

“Bazuar në monitorimin sistematik të IKD-së, rezulton se prokurorët nuk paraqesin kërkesa për sekuestrim dhe konfiskim të pasurive që fitohen me vepra penale. Më pas edhe gjykatësit hezitojnë që të aprovojnë kërkesa të prokurorëve që bëhen për sekuestrim dhe konfiskim të pasurive të paligjshme. Deri më tash edhe prokurorët edhe gjyqtarët kanë dështuar që t’i zbatojnë të gjitha dispozitat që kanë të bëjnë me sekuestrim dhe konfiskim të pasurive”, tha Musliu.

Anëtarët e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e opozitës, theksojnë se synimi i Kuvendit duhet të jetë miratimi i ligjeve të duhura në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Konfiskimi, sipas ligjit, nënkupton “konfiskimin e përhershëm të pasurisë, të urdhëruar me vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent në pajtim me ligjin në fuqi”.

Më pas këto pasuri, kalojnë në pronësi të shtetit, mund të jepen në shfrytëzim apo të shiten në ankand publik dhe mjetet financiare kalojnë në buxhetin e Kosovës.
Konfiskimi i pasurisë së paligjshme, realizohet nëpërmjet Kodit Penal të Kosovës dhe Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.

Kurse, nuk ka mekanizma ligjorë me anë të së cilëve do t’i nënshtroheshin verifikimit të pasurisë, personat që deklarojnë se pasuria e tyre është e krijuar nga të ardhurat e tyre, thonë njohës të çështjes së drejtësisë. /Rel

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme