Mbi 200 raste të pickimeve dhe dy raste të rënda janë paraqitur që nga fillimi i vitit e deri më tani në Klinikën Infektive në QKUK ku njëri pacient me gjendje të rëndë vazhdon ende të trajtohet në këtë klinikë.
Kështu ka bërë të ditur Sali Ahmeti, infektolog në një përgjigje për Arbresh.info.
Ai ka thënë se janë dy lloje të etheve hemorragjike, Ethet hemorragjike Krime-Kongo si dhe Ethet Hemorragjike me sindrom veshkor.
“Ne kemi dy lloje të etheve hemorragjike, ethe hemorragjike Krime-Kongo ose e njohur ndryshe si ethja e rriqrave dhe këtë vit kemi pas një rast të konfirmuar klinik dhe virusologjik ka qenë një formë e rëndë e sëmundjes por që është shëruar mirë dhe pacienti ka shkuar shëndosh në shtëpi, përndryshe kemi pasur mbi 200 raste të pickimeve të cilat disa prej tyre i kemi spitalizuar për shkak të disa manifestimeve të lehta klinike por që nuk kanë pas manifestime të rënda, ndërsa kemi edhe këtë tjetrën ethe hemorragjike me sindrom veshkor ndryshe e njohur si ethja e minjve është poashtu endemike dhe ne aktualisht e kemi një rast në gjendje të rënë por që është duke u trajtuar dhe ne po bëjmë krejt që është e mundu edhe ai të shërohet edhe ai të përmirësohet por është aktualisht në trajtim”, ka thënë Ahmeti për Arbresh.info.
Ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se si kryesues të Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e EHCC, përmes IKSHKP-së ka ndërmarrë masat që janë në përgjegjësi të saj që edhe gjatë kësaj vere në komunat endemike për EHCC (Malisheva, Rahoveci, Klina, Suhareka) dhe në komunat e tjera të vendit të ndërmerren masa adekuate.
“Duke filluar nga ndërgjegjësimi i popullatës për rrezikun dhe ndërmarrjen e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtje, duke përfshirë pra edukimin e popullatës, dezinsektimin selektiv të hapësirave, repelimin e shtazëve dhe përgatitjen e institucioneve shëndetësore për t’u ballafaquar me rastet eventuale të konfirmuara të EHCC”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Arbresh.info.
Sipas ministrisë këto masa janë pjesë e Planit operacional për parandalimin dhe kontrollin e Etheve Hemorragjike në Kosovë, që është plan ndërsektorial dhe që zbatohet nga shumë institucione të përfshira qendrore dhe lokale të cilat sipas kësaj ministrie kanë dhënë rezultate pozitive dhe duhet të vazhdohen edhe më tej, deri në përfundimin e sezonit së shfaqjes së EHCC dhe vitin tjetër po ashtu.
Nga kjo ministri poashtu bëjnë të ditur se këtë vit për dallimi nga viti paraprak dhe vitet tjera numri nga pickimi i rriqrave është më i vogël, por pavarësisht kësaj popullata duhet të ketë kujdes.
“Megjithëse sivjet, bazuar në të dhënat e IKSHKP-së, numri i pickimeve nga rriqrat është për 50% më i vogël se vitin paraprak dhe shumë më i vogël se në vitet e tjera, popullata duhet bëj kujdes të madh sepse, rastet, nëse neglizhohen dhe nuk kërkohet ndihma profesionale menjëherë mund të jenë edhe fatale. Periudha prej vitit 2013, ka pasur ecuri më të favorshme, por kujdesi është i nevojshëm gjatë gjithë sezonës sa zgjat periudha e paraqitjes së pickimit nga rriqrat dhe eventualisht diagnostikimit të rasteve pozitive në EHCC”, kanë paralajmëruar nga kjo ministri./Arbresh.info/R.Rexhepi
Situata energjetike në Kosovë, Rizvanolli takon sot përfaqës...
Osmani pret në takim lamtumirës Ambasadorin Hovenier
Parashikimi i motit për të premten
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit