Google ADS

Mbi 2 mijë e 500 biznese u regjistruan në Kosovë vetëm sivjet

16:56 | 30 Prill 2018
Arbresh.info

Interesimi për të hapur një biznes që për aktivitet ekonomik ka tregtinë vazhdon të dominojë ndër bizneset e hapura këtë vit.

Ndërsa, për nga pozita gjeografike, Prishtina është më e favorizuara për hapje të bizneseve.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sipas numrit të të punësuarve dominojnë bizneset me 1 deri në 4 të punësuar.

Këto të dhëna dalin nga “Repertori Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, TM1 2018” të ASK-së.

Agjencia e Statistikave e Kosovës thekson se në tremujorin e parë të vitit 2018 gjithsej janë regjistruar 2 mijë e 556 ndërmarrje.

Sipas ASK-së, krahasuar me tre muajt tetor-dhjetor të vitit të kaluar kishte një rritje për 33.1 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara. Kurse, krahasuar me tre muajt e njëjtë të 2017-ës, kishte një rënie për 10.3 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara.

Si gjithnjë tregtia prin sipas aktivitetit të biznesit të regjistruar.

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 722 ndërmarrje të regjistruara (28.2%); prodhimi me 316 ndërmarrje të regjistruara (12.4%); ndërtimtaria me 266 ndërmarrje të regjistruara (10.4%); akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 247 ndërmarrje të regjistruara (9.7%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike 204 ndërmarrje të regjistruara (8.0%); ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas numrit të të punësuarve, dominon biznesi që punëson jo më shumë se 4 të punësuar.

“Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1 deri 4 përbën 2.462 ndërmarrje të regjistruara ose 96.3%; kategoria me 5 deri 9 të punësuar me 57 ndërmarrje të regjistruara (2.2%); me 10 deri në 19 të punësuar ishin 24 ndërmarrje të regjistruara (0.9%); me 20 deri 249 të punësuar ishin 13 ndërmarrje të regjistruara (0.5%). Ndërsa, në kategorinë 250+ të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruara gjatë këtij tremujori”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron Prishtina me 705 ndërmarrje të regjistruara ose 27.6 për qind, Ferizaj me 224 ndërmarrje të regjistruara apo 8.8 për qind, Prizreni me 208 ndërmarrje të regjistruara 8.1 për qind, Peja me 147 ndërmarrje të regjistruara 5.8 për qind, Gjilani me 144 ndërmarrje të regjistruara 5.6 për qind dhe Gjakova me 113 ndërmarrje të regjistruara 4.4 për qind. Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme