Mbi 150 persona të mbajtur padrejtësisht prapa grilave, kanë kërkuar kompensim nga shteti i Kosovës, pas shpalljes së tyre të pafajshëm gjykatat.
Ani pse liria nuk kompensohet me asgjë në botë, për 11 muajt të këtij viti 150 persona të privuar nga liria padrejtësisht me muaj apo edhe me vjet, kanë shfrytëzuar mundësin që u jep ligji për të kërkuar dëmshpërblim nga shteti për dëmin e shkaktuar.
Gjithë këto kërkesa sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), janë bërë nga janari e deri në muajin nëntor, raporton arbresh.info.
“Gjatë vitit 2022, përkatësisht nga 01.01.2022 deri në kohen raportuese, kompensim dëmi për personat e dënuar ose arrestuar pa arsye kanë kërkuar 152 persona”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.
Çështja e kompensimit të atyre që mbahen padrejtësisht prapa grilave përcaktohet në mënyrë konkrete edhe me dispozitat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj), në të cilin akt i jepet e drejta personit që është paraburgosur padrejtësisht të kërkoj kompensimin e dëmit të shkaktuar.
KGJK: Për 11 muaj kanë kërkuar kompensim 152 persona
Sipas KGJK-së, nga 152 persona sa kanë kërkuar të drejtën e tyre për kompensim, deri tash vetëm 136 prej tyre janë kompensuar.
“Deri më tani janë kompensuar 136 persona, ndërsa 16 kërkesa janë në pritje për tu shqyrtuar gjatë muajit dhjetor”, bëhet e ditur nga ky KGJK.
Por, pa marr parasysh numrin e kërkesave për kompensim të dëmit nga personat që kanë qëndruar padrejtësisht në arrest shtëpiak apo edhe paraburgim, KGJK këtë vit ka në dispozicion vetëm 500 mijë euro në buxhetin e saj për këtë çështje.
“Shuma që është ndarë për këtë kategori është 500.000 €”.
Nga KGJK bëjnë të ditur sesa llogaritet qëndrimi një ditor i një të burgosuri në burg, kur vjen puna tek kompensimi i tyre.
Për dëmin material në bazë të periudhës sa ka qëndruar një person në paraburgim, kompensohet me 9 euro ditën për dëmin material, 6 euro për dëmin jo material, si dhe 120 euro për angazhimin e avokatit.
“Sipas udhëzimit administrativ për kompensimin e personave të dënuar ose arrestuar pa arsye, për një ditë qëndrimi në paraburgim ose arrest shtëpiak është 9 € për dëmin material, 6 € për demin jo material, 120 € për avokat nëse ka (60 € përpilimi i kërkesës dhe 60 € përfaqësimi në seancë) si dhe për paraburgim është edhe kompensimi për pako dhe vizita familjare 50 € në muaj”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së për arbresh.info.
Rrecaj: Nuk ka asnjë vlerë monetare që kompenson veprimin me liri të personit pa bazë ligjore
Avokati Tahir Rrecaj thotë se shuma e kompensimit për personat që mbahen padrejtësisht në burg janë të pamjaftueshme.
“Jo, apsolut nuk janë të mjaftueshme sepse nuk ka asnjë vlerë monetare që mundet me kompensu veprimin me liri të personit pa bazë ligjore por fatkeqësisht edhe kompensimit janë të vogla. Ndryshe në vendet perëndimore për mbetjen në paraburgim, shteti paguan miliona”, u shpreh Rrecaj.
Megjithatë, Rrecaj shton se ky kompensim është një lloj kënaqësie për rehabilitimin e personave që kanë qëndruar padrejtësisht në paraburgim.
“Kompensimi d.m.th nuk mjafton se nuk ka vlerë monetare që mund me kompensu privimin në liri dhe mbajtjen padrejtësisht në paraburgim. Gjithë ato vuajtje, degradime, vuajtje në familje, e gjithë ato d.m.th. nuk janë të mjaftueshme absolut por kaq janë standardet tona dhe ai është një lloj “sadisfaksioni” sado pak moral për me rehabilitu një person i cili padrejtësisht është privu nga liria është paraburgosë padrejtësisht”, shprehet Rrecaj.
Ai thotë se ka pasur klientë që kanë qëndruar në paraburgimin dhe në fund janë shpallur të pafajshëm.
“Po kam pasur, jo një po disa prej tyre, kemi bërë padinë, janë realizuar kompensime aq sa e ka caktu gjykata, por ato vlera nuk janë të mjaftueshme, por kaq janë ato kriteret dhe standardet për mundësit tona”, shprehet avokati Rrecaj.
Ndryshe, çdo person që mbahet në arrest shtëpiak, apo në paraburgim pa fakte, ka të drejtë kompensimi.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti më lartë juridik, në nenin 29 paragrafi 5, në mënyrë shprehimore e përcakton se “çdokush që është ndaluar ose arrestuar në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, gëzon të drejtën e kompensimit në mënyrën e parashikuar me ligj.”
Pra, një person i paraburgosur, i cili është mbyllur pa ndonjë arsyetim adekuat të masës së paraburgimi,t ku me këtë edhe është privuar paligjshëm nga liria e tij, me legjislacionin vendor si dhe me ligjet ndërkombëtare ka të drejtë kompensimi./arbresh.info/Ejona Hyseni/
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...
Pati një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Akron – Mirlind D...
Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, Hoxha: Të ndërt...
Shërbimi i Self Check-in tani edhe në Aeroportin e Prishtinë...