Google ADS

Mbi 150 mijë votues të rinjë

14:38 | 23 Maj 2017
Arbresh.info

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë masat që në zgjedhjet e 11 qershorit të minimizohen problemet që kanë të bëjnë me listat e votuesve. Në këtë mënyrë, janë hequr nga lista e votuesve 53 mijë e 300 emra. Ndërkohë, listës i janë shtuar mbi 150 mijë votues të rinj. Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është rreth një milionë e 800 mijë qytetarë.

Në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 11 qershor, pritet të ketë më pak probleme sa i përket listës së votuesve, ku prezenca e njerëzve që kanë ndërruar jetë, zgjedhjeve të kaluara ka qenë një prej problemeve kryesore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë të gjitha masat që mos të ketë në listën e votuesve emra të personave që nuk janë më në jetë, apo që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi flet për një përkushtim të KQZ-së për ta evituar këtë problem në zgjedhjet e 11 qershorit.

“KQZ-ja vazhdimisht është angazhuar me institucionet tjera, siç është Agjencia e Regjistrit Qendror Civil për përmirësimin e listës votuese. Në këtë drejtim në bazë të një raporti që ne kemi nga shërbimi votues janë 33,542 emra të votuesve, të cilët janë larguar si të vdekur, ndërsa 19,796 emra të votuesve që janë larguar për arsye të heqjes dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës”, tha Elezi për Radio Kosovën.

Elezi flet edhe për votuesit e rinj në zgjedhjet e 11 qershorit, i cili është mbi 156 mijë e 31.

“ Prej tyre, 118,313, janë votues që pas Zgjedhjeve të vitit 2014 kanë mbushur moshën 18 vjeçare dhe që do t’i mbushin 18 vjet në datën 11 qershor 2017 dhe 37,718 votues të regjistruar për herë të parë dhe votues që kanë marrë dokumente të Republikës së Kosovës pas Zgjedhjeve të vitit 2014”, tha Elezi.

Sa i përket listës së përgjithshme të votuesve, lista preliminare përmban 1 milion e 885 mijë e 147 emra të votuesve, ndërkohë ende nuk dihet se numri i të interesuarve nga diaspora për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

Përndryshe, numri i votuesve në Kosovë është rritur në çdo zgjedhje, duke nisur nga viti 2000 kur numri i votuesve ishte rreth 1 milion e 250 mijë. Në vitin 2004, ishin 1 milion e 410 mijë, në zgjedhjet e vitit 2007, 1 milion e 560 mijë, në zgjedhjet e vitit 2010, 1 milion e 630 mijë, ndërsa në zgjedhjet e fundit ato të vitit 2014, numri i votuesve ishte 1 milion e 780 mijë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme