Mbi 150 euro një kurban, zbehet interesimi i qytetarëve

08:09 | 6 Korrik 2022
A Z

Çmimet e kurbanëve këtë vit janë rritur ndjeshëm, me këtë edhe qytetarët po hezitojnë të blejnë kurbane, shkruan arbresh.info.

Çmimi i kurbanit vitin e kaluar ka qenë 120 euro, e këtë vit çmimi është ngritur nga 150 deri në 170 euro.

Kështu thotë për arbresh.info, Fahrush Krasniqi, shitës i kurbaneve në fshatin Bardh të Malishevës.

Ai thotë se, kjo varet nga madhësia dhe sa i shëndetshëm është kurbani.

“Sipas Bashkësisë Islame çmimi i kurbanit për këtë vit është duke filluar nga 150 euro e më lartë krejt kjo varet nga madhësia e kurbanit dhe sa i shëndetshëm është ai”, thotë Krasniqi.

Por, sipas tij, një pjesë e njerëzve për shkak të papunësisë nuk kanë marrë kurban sivjet.

“Një pjesë e njerëzve nuk kanë marrë sivjet, vjet ka pas ma shumë shitje, ka nuk është që s’ka ama nuk është sikur viteve të tjera, për shkak të papunësisë njerëzit pare nuk po kanë”, thotë ai.

E, sipas shitësit të kurbaneve shumë njerëz e kanë vullnetin të prenë kurban, por nuk i kanë 150 euro apo 170 euro.

Ai shton se kurbani krahasuar me vitin e kaluar ka pasur rritje të çmimit për 30 euro për secilin kurban.

“Çmimi më i lirë i kurbanit vitin e kaluar ka qenë 120 euro, e duke shkuar më lartë”, thotë ai.

Rikujtojmë se, Festa e Kuban Bajramit është të shtunën e 9 korrikut. /Fjolla Bajraktari/arbresh.info/

Të ngjashme