Mbi 11 mijë persona kërkojnë ndihmë në QKMF-të e Prishtinës, shkak gripi sezonal

11:06 | 19 Mars 2023
A Z

Mbi 11 mijë persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF), në Prishtinë në tre muajt e fundit.

Kjo për shkak të prekjes së tyre nga gripi sezonal, i cili sipas doktoreshës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Drita Peçani, rrezikon më së shumti fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

Për portalin “Arbresh.info”, doktoresha Peçani thotë se fillimi i muajit mars ka pasur rritje të qytetarëve, të cilët kanë kërkuar ndihmë si pasojë e prekjes së tyre nga gripi sezonal.

Numri i personave që kanë kërkuar ndihmë në QKMF-në ku ajo punon, sipas Peçanit ka arritur deri në 100 persona brenda një ndërrimi.

“Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare e frekuenton një numër i madh i pacientëve me patologji të ndryshme, mirëpo nga numri i tërësishëm në tri ndërrimet diku deri ne 100 pacientë brenda në një ndërrim kanë vizituar me grip sezonal. Pra, ka pas numër të madh të pacientëve, të cilët kanë kërkuar ndihmë për shkak të simptomatologjisë me grip. Numri i përgjithshëm i pacientëve që vizituan të gjitha QKMF-të në Prishtinë gjatë tre muajve është 11 mijë e 583 pacientë me simptomatologji të gripit”, thotë Peçani.

Ajo pohon se ky grip atakon edhe mushkëritë, gjegjësisht organet e frymëmarrjes së personave të prekur nga ky grip.

“Të rrezikuar më së tepërmi janë fëmijët nën moshën 5 vjeçare, për arsye se po kalon në komplikime bakteriale, po kanë edhe infeksione bakteriale për veç virusit po i atakon edhe mushkëritë gjegjësisht organet e frymëmarrjes, të rrezikuar janë edhe pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike si ato të sistemit respiratorë të frymëmarrjes, sëmundjet e zemrës, me diabet, me sëmundje të veshkave, pra të gjithë ata që kanë sëmundje kronike janë me shumë të rrezikuar”, tha Peçani.

Doktoresha Peçani tregon edhe për simptomat e këtij gripi dhe parandalimin e tij, që sipas saj nuk janë aspak të lehta.

“Simptomatologjia është e ndryshme te personat e ndryshëm se cilën moshë e atakon, shpesh herë fillon me ethe, me temperaturë të lartë dhimbje fyti, rrjedhje nga hunda, dhimbjet e nyjave janë të gjeneralizuara, lodhje dhe te fëmijët paraqitet me te vjellura dhe me barkqitje. Përhapjen e gripit mund ta parandalojmë me mbajtjen e higjienës, larjen e duarve, mbajtjen e maskës në ambiente ku ka shumë persona”, vazhdon tutje Peçani.

Doktoresha këshillon se të përdoren pemë dhe perime të cilat janë të pasura me minerale dhe vitamina dhe të bëhet shëtitja në ambiente të freskëta dhe të pastërta, të ajroset shumë shpesh ambienti i brendshëm, gjithashtu mos të frekuentohen ambientet e mbyllura.

Sipas saj gripi zgjatë 5-7 ditë e nëse komplikohet në ndezje te indit të mushkërive, apo nëse ka ndonjë sëmundje shoqëruese zgjatë edhe më shumë.

Infektologu Ramadani:  Ka raste kur të prekurit nga gripi sezonal përfundojnë me hospitalizim

Në anën tjetër, infektologu Hamdi Ramadani thotë për “Arbresh.info” se është rritë numri i të prekurve me gripin sezonal.

Sipas tij, ka raste që personat e prekur nga gripi sezonal përfundojnë edhe me hospitalizim.

Madje sipas Ramadanit këtë vit është rritur numri i të prekurve nga gripi sezonal, krahasuar me periudhën e njëjte të vitit të kaluar.

“Jemi në epideminë e gripit sezonal, po preken të gjitha moshat, e më së shumti fëmijët, por ka raste edhe të rënda që po përfundojnë me hospitalizim. Kemi një numër shumë të madh krahasuar me vitin e kaluar”, tha Ramadani për arbresh.info.

Sipas tij, gripi sezonal do të vazhdojë edhe në muajin prill, duke shtuar se shumë qytetarë nuk janë vaksinuar kundër këtij gripi dhe si shkak i kësaj ka ardhure tek përhapja e madhe e tij.

Infektologu Ramadani apelon tek ata qytetarë që nuk janë vaksinuar ende, të vaksinohen kundër gripit sezonal.

“Vaksinimi përkundër që është i pranishëm në vendin tonë, mendojë që ka shumë qytetarë që nuk kanë bërë vaksinimin kundër gripit sezonal. Dhe me siguri këto janë rastet që janë paraqitë te ata të sëmurë që nuk janë vaksinuar. Edhe në këtë kohë kishte me qenë e drejtë dhe e mirë për shëndetin për qytetarët të sëmurët, por edhe ata që janë aktiv, që punojnë, se ata e përhapin sëmundjen në mënyrë shumë më të madhe, të marrin vaksinën kundër gripit sezonal dhe me këtë e zvogëlojnë ose e kufizojnë maksimalisht dhe nuk përhapet sëmundja si dhe shumë më pak do të kemi ndërlikime edhe pasoja”, shtoi Ramadani.

Sipas tij ,është e drejtë e çdo qytetari të mbrojë shëndetin, veten, të mbroj familjen dhe nuk është vonë të bëjë vaksinimin, edhe pse është vonë, por mund të jepet dhe të mbrojë shëndetin, se vetëm kështu epidemia e gripit sezonal kalohet me letë.

Ndryshe, në fillim të janarit të këtij viti Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), nga fillimi i sezonës, 03 tetor 2022 (java e 40-të) deri më 01 janar 2023 (java e 52-të) në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë raportuar gjithsej 23,832 raste të sëmundjes të ngjashme me Grip (ILI), 3,406 raste të Infeksioneve respiratore akute (ARI) dhe 67 raste me Infeksion të rëndë respirator akut (SARI).

Tutje, në atë njoftimin e IKSHPK-së thuhej se gjatë javës së 52-të (26.12.2022-01.01.2023) janë raportuar raste 1,871 ILI (Sëmundje e Ngjashme me Gripin), 314 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 7 raste me Infeksion të Rëndë Akut Respirator (SARI).IKSH ka rekomanduar edhe se si duhet të veprohet./Arbresh.info/Vjollca Gajraku/

Të ngjashme