Hedhja e mbetjeve spitalore në brigjet e lumit Erzen, ishte skandali që ngjalli reagime të shumta në Shqipëri. U alarmua i tërë shteti për rrezikun që shkaktojnë mjetet e përdorura tek pacientët e mbetjet nga kurimet nëpër spitale. Por, a e dini ku përfundojnë shiringat, gjilpërat e mbetjet tjera patologjike nga operacionet e ndryshme të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës?
Gazeta Fjala në një hulumtim ka gjetur se një pjesë e tyre përfundojnë në deponinë e mbeturinave në Mirash, ndërsa një pjesë më sensitive që mund të jetë tepër e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve varroset përskaj trupave të pajetë të qytetarëve të Prishtinës në varrezat në lagjen Arbëria.
“Varrosja” e fundit është bërë para tre javësh nga kompania “Pastrimi”, e angazhuar nga QKUK për këtë punë, ndërsa Kosova nuk ka një ligj të posaçëm që rregullon trajtimin e mbetjeve spitalore.
Ambientalistët kundërshtojnë kategorikisht këtë metodë duke thënë se rrezikon jetën e qytetarëve, pasi që këto mbetje lirojnë materie të rrezikshme pas groposjes.
Por, në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit thonë se gjithçka bëhet nën mbikëqyrjen e tyre në bazë të kritereve përcaktuara me Autorizimin Mjedisor nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – MMHP për trajtimin e mbeturinave medicionale-patologjike.
Groposja e mbetjeve në prani të inspektorëve
Ditë më parë kosovarët janë alarmuar nga një fotografi e një liqeni që ka marrë ngjyrë të çuditshme nga mbetjet sanitare në afërsi të deponisë ku hedhen mbeturinat spitalore.
Megjithatë institucionet kompetente thonë se pas përfundimit të përdorimit të tyre apo proceseve të punës kujdesen që ato të mos bëhen rrezikshme për jetën e qytetarëve.
Zëdhënësi i Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), Shpend Fazliu ka thënë se QKUK-ja ka insenerator në të cilin asgjësohen mbetjet spitalore dhe se këto mbetje klasifikohen sipas llojit.
“Inseneratori në QKUK është donacion nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe është me standarde të larta. Mbetjet medicinale, apo të tjera, klasifikohen në qese të ndryshme, me ngjyra të ndryshme, varësisht nga lloji i mbeturinave që kanë.”
Madje Fazliu ka thënë se këto mbetje groposen nga Kompania “Pastrimi”, në prani të inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe inspektorateve tjera kompetente.
Sipas tij ka inspektime të vazhdueshme nga inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe inspektoratet tjera kompetente.
Ai ka shpjeguar se si bëhet grumbullimi i këtyre mbetjeve spitalore.
“Në vitin e kaluar kanë qenë 10290 lindje dhe po aq placenta. Pas daljes nga mitra placentat futen me një qese plastike ku shënohen të dhënat dhe futen ne frigorifer me ngrirje të thellë, ku dhe bëhet grumbullimi i tyre”, ka thënë Fazliu.
Kompania “Pastrimi”: Nuk ka ligj, veprojmë me autorizim mjedisor
Në varreza dërgohen mbetjet të cilat largohen nga QKUK-ja, kryesisht nga Instituti Patologjik dhe Klinika e Gjinekologjisë, në këto mbetje ka mbetje nga lindjet placenta dhe mbetje nga Instituti Patologjik amputime si dhe mostra për egazaminimet të cilat bëhen në Institutin Patologjik, që përcaktohen ne Udhëzimin Mjedisor të Hartuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).
Se nuk ka ligj që e rregullon groposjen e mbetjeve spitalore në varrezat e Qytetit të Prishtinës, e thotë edhe Arbnore Ademi nga Kompania “Pastrimi”, e cila kompani merret me groposjen e këtyre mbetjeve.
“Jo, nuk është e rregulluar me ligj, mirëpo Kompania “Pastrimi”, Sh.A-Prishtinë vepron në bazë të Autorizimit Mjedisor nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor MMHP për trajtimin e mbeturinave medicionale-patologjike”, ka thënë Ademi, duke cekur pjesë të këtij autorizimi, në të cilin thuhet se: “Trajtimi i mbeturinave medicionale-patologjike do të bëhet në bazë të kushteve të përshkruara në raportin për Autorizimin Mjedisor, duke i varrosur dhe mbuluar me dhe në një vend të përshtatshëm dhe nën mbikëqyrjen e Inspektoratit Mjedisor.”
Përpos kësaj kompanie, Ademi thotë se nuk ka ndonjë kompani tjetër që merret trajtimin e këtyre mbeturinave, andaj kjo është mënyra që Kompania “Pastrimi” aplikon për groposjen e këtyre mbetjeve bazuar në Autorizimin Mjedisor.
“Kompania “Pastrimi”, posedon mekanizmin për bartjen e mbeturinave të tilla, ndërsa në mungesë të ndonjë kompanie gjegjëse për trajtimin adekuat të kësaj mbeturine Kompania “Pastrimi”, kryen këtë shërbim me kapacitetet që i posedon”, ka thënë Ademi.
Hasanaj: Groposja e mbetjeve spitalore është në kundërshtim me ligjin
Por, sipas kreut të organizatës “Lets do it Kosova”, Luan Hasanaj groposja e mbetjeve spitalore në varrezat e qytetit është i pa tolerueshëm.
Hasanaj ka thënë se grumbullimi i mbetjeve spitalore dhe mbulimi i tyre është në kundërshtim me normativat ligjore dhe praktikat ndërkombëtare dhe se këto mbetje duhet të trajtohen me ndryshe, pasi që në këtë formë vetëm sa rrezikohet jeta e qytetarëve.
“Ato nuk guxojnë të hedhen ashtu. Nuk guxojnë as të mbulohen me dhe. Këto mbetje duhet të përpunohen, të shtypen dhe me pas të dërgohen në ndonjë vend të sigurt për asgjësim. Ato lirojnë mbetje toksike dhe si të tilla janë të rrezikshme për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Hasanaj.
Hasanaj ka thënë se janë kategorikisht kundër groposjes, jo vetëm të mbetjeve medicinale , por të të gjitha mbeturinave.
MMPM-ja: Nuk jemi në dijeni nëse hidhen në lumenj
Ndërkohë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Mjedisor, thonë se këto mbeturina sterilizohen dhe përfundojnë në deponi sanitare.
“Konform ligjeve në fuqi-udhëzimit administrativ nr.22/2013 për menaxhimin e mbeturinave medicinale, humane dhe veterinare sterilizohen dhe përfundojnë në deponi”, ka thënë Mustafë Hyseni.
Se a ka raste kur këto mbetje hedhen në lumenj, siç ishte rasti në Shqipëri, Hyseni thotë se për këtë nuk janë në dijeni.
“Nuk jemi në dijeni se hedhen në lumenj por mbeturinat medicinale- amputimet sipas kërkesës nga spitalet, këto mbeturina varrosen (mbulohen me dhe ) nën mbikëqyrjen tonë”.
Hyseni ka thënë se mbeturinat klasifikohen nëpër qese të ndryshme dhe pastaj përfundojnë në deponi sanitare ose në autokllavë.
Ai ka thënë se spitalet që veprojnë në Kosovë kontrollohen nga shteti dhe se dëmi që shkaktojnë nëse nuk menaxhohen në mënyrë të duhur është i madh, pasi që hyjnë në grupin e materieve të rrezikshme.
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet n...
PDK-ja formon shtabin qendror zgjedhor