Mbetet mbi 50% niveli i kënaqshmërisë me Osmanin, Konjufcën e Kurtin

14:02 | 7 Mars 2022
arbresh.info

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar sot edicionin e 21-të të përmbledhjes Pulsi Publik në një prezantim virtual të gjetjeve kryesore.

Në vijim janë disa nga gjetjet kryesore nga më shumë se 1,300 të anketuar:

Edhe pse të gjeturat tregojnë një rënie të lehtë të nivelit të kënaqësisë me të gjitha institucionet e Kosovës, në përgjithësi, ato mbeten më të larta se mesatarja gjatë viteve të kaluara.

Niveli i kënaqshmërisë me Presidenten kap vlerën prej 55.2%.

Niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e Kryeministrit është 53.2%.

Niveli i kënaqshmërisë me performancën e ekzekutivit kapi vlerën 47.6%.

Niveli i kënaqshmërisë me Kryetarin e Kuvendit ishte 55.4%, ndërsa kënaqshmëria me punën e Kuvendit të Kosovës ishte 50.3%.

Ka pasur rritje të shkallës së kënaqshmërisë me Zyrën e Kryeprokurorit, me shkallë të kënaqshmërisë prej 34%.

Kënaqshmëria me drejtimin politik të Kosovës është rritur për 6 pikë përqindjeje (30.7%) dhe paraqet nivelin më të lartë të kënaqshmërisë të regjistruar ndonjëherë nga anketat e Pulsit Publik

Indeksi i Besueshmërisë Ekonomike ka tejkaluar, për here të parë, pragun duke kapur vlerën 1.52 pikë  që sugjeruar se më shumë se gjysma e qytetarëve të Kosovës kanë pikëpamje pozitive për perspektivën ekonomike të Kosovës.

Tri çështjet kryesore të raportuara gjatë kësaj ankete ishin papunësia (26.7%), varfëria (24.3.%) dhe mjedisi (10.1%). Kjo është hera e pare që mjedisi identifikohet si njëri nga problemet kryesor në Kosovë.

Problemet e hapësirës urbane dhe çmimet e artikujve esencialë janë ndër 5 çështjet kryesore me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës.

Gjithsej 77.6% e të anketuarve (do të votonin për një parti të caktuar politike, ose një koalicion, nëse zgjedhjet qendrore do të zhvilloheshin në të ardhmen e afërt.

51% e të anketuarve deklaruan se COVID-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike. Gjithsej 43.9% deklaruan se ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre fizik dhe 50.7% treguan se ka ndikuar në shëndetin e tyre mendor.

Gjetjet tregojnë rënie të lehtë të ndjenjës së sigurisë tek të anketuarit, me 73.6% që ndihen të sigurt kur janë jashtë. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë tregojnë se ndjenja e sigurisë është më e ulët tek femrat (71.5%) sesa tek meshkujt (75.4%).

Ky vit shënon 20 vjetorin e Pulsit Publik që është pasardhës i Raporteve të Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm, i cili u ofron palëve të interesuara në Kosovë të dhëna në kohë për stabilitetin institucional dhe socio-ekonomik duke shërbyer si një mjet analitik për përpjekjet zhvillimore. UNDP në Kosovë i është mirënjohëse popullit amerikan që e ka financuar projektin përmes USAID-it që nga fillimi.

Përmbledhja Pulsi Publik 21 bazohet në anketën e realizuar nga 20 tetori deri më 4 nëntor 2021 me 1,306 të anketuar nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Të dhënat dhe indikatorët nga anketa janë të zbërthyer sipas përkatësisë etnike dhe gjinore për të ofruar informata të hollësishme mbi dallimet në perceptime lidhur me problemet zhvillimore me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës. Mostra përfshiu 896 shqiptarë të Kosovës, 210 serbë të Kosovës dhe 200 pjesëtarë të komuniteteve të tjera të Kosovës (boshnjakë, ashkali, egjiptas, goranë, romë, dhe turq). Anketa u krye në bazë të mostrimit me probabilitet rastësor në etapa të shumëfishta, dhe u krye përmes intervistave sy më sy./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme