Mbesa e Thaçit tregon pse po kandidon për deputete (FOTO)

16:21 | 6 Qershor 2017
Arbresh.info

Njëra ndër kandidatet për deputete të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës është Evgjeni Thaçi Dragusha.

Deputetja Thaçi-Dragusha është kandidatja me numër 45 në listën e koalicioni zgjedhor PDK-AAK-NISMA. Kandidatja Thaçi-Dragusha është në garën për deputete të Kosovës për herë të parë dhe është ndër kandidatët me moshën më të re.

Në një intervistë të dhënë për Indeksonline, kandidatja Evgjeni Thaçi-Dragusha ka folur edhe rreth pikëpamjeve të saj lidhur me zgjedhjet e 11 qershorit.

Jeni ndër kandidatët më të reja për deputete, a besoni se do të keni besimin e qytetarëve që t’i përfaqësoni ata në Kuvendin e Kosovës?

Evgjeni Thaçi Dragusha: Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat gjendet Kosova, zhvillimin social, politik dhe ekonomik, mendoj se është koha që gjeneratat të cilat janë shkolluar dhe përgatitur profesionalisht duhet të kyçen edhe në politikë, në mënyrë që të përmbushin hendekun i cili ka ekzistuar për vite të tëra në skenën politike të Kosovës. Unë besoj se qytetarët e Kosovës shohin shpresë dhe ardhmëri në platformën e PKD-së, ‘Fillimi i Ri’. Shpresoj në përkrahjen e qytetarëve të Kosovës, pasi që mendoj se si kandidate e re dhe pasi kandidoj për herë të parë dhe kam çfarë t’i ofroj Kuvendit të Kosovës dhe besoj se do të jem përfaqësuese e denjë e zërit të tyre.

Çka iu shtyu të kandidoni për Kuvendin e Kosovës dhe çfarë iu premtoni votuesve tuaj nëse arrini të bëheni deputete e legjislaturës së ardhshme?

Evgjeni Thaçi-Dragusha: Ka qenë një kërkesë e kahershme e shoqërisë, kolegëve dhe njerëzve të cilët më njohin që unë të angazhohem në jetën politike. Për një kohë të gjatë e kam menduar këtë ide dhe kam ardhur në përfundim se duhet të jem politikisht aktive në mënyrë që të shoh ndryshimin të cilin e dua për vendin tim. Falënderoj z.Veselin për besimin dhe përkrahjen që më ka dhënë dhe vazhdon të më jap dhe shpresoj se do të dalim fitues me ‘Fillimin e Ri’. Votuesve të mi u premtoj se do të jem zëri i tyre dhe përfaqësuese e denjë në Kuvendin e Kosovës.

A duhet që në Kuvendin e Kosovës të ketë më shumë të rinj?

Evgjeni Thaçi-Dragusha: Duke e ditur se të rinjtë dhe gratë janë burim shumë i rëndësishëm i zhvillimit në Kosovë, gjithsesi që ata duhet të jenë të përfaqësuar më fuqishëm në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës. Ky është edhe vizioni i Kadri Veselit. Gjithashtu, një ndër prioritetet e platformës së ‘Fillimit të Ri’ është mbështetja, fuqizimi dhe integrimi i femrës dhe të rinjve në institucione vendim-marrëse.

Sa keni përkrahjen e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të presidentit Hashim Thaçi në këtë garë?

Evgjeni Thaçi-Dragusha: PDK-ja është parti e cila u jep mundësi dhe i përkrah të rinjtë në politikë. Unë kam gjetur mjaft mbështetje për cilën gjë u jam falënderuese të gjithë strukturave dhe kryetarit Kadri Veseli. Sa i përket presidentit Hashim Thaçi, roli i tij në Kosovë është unifikues dhe i paanshëm dhe ashtu duhet të jetë. E sa për lidhje familjare, axhi Hashim më ka përkrahur dhe vazhdon të më përkrah sa herë që unë kam nevojë për cilën gjë i jam gjithmonë falënderuese.

evgjeni thaci evgjeni thaci

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme