Mbërrin në Prishtinë dërgesa e tretë e UNICEF-it me furnizime vitale për ta mbështetur reagimin ndaj COVID-19

18:24 | 23 Prill 2020
Arbresh.info

Deri më tani, UNICEF-i ka ofruar 36.200 dorëza, 68.544 maska kirurgjike, 5.380 maska FFP2/N95, 1.000 kominoshe për mbrojtje, 51.460 mantele kirurgjike dhe 2.934 përparëse mbrojtëse, 81 termometra klinikë me rreze infra të kuqe, të gjitha këto në mbështetje të reagimit ndaj pandemisë në Kosovë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia tha se MSh mirëpret kontributin e partnerëve në luftën e përbashkët kundër Covid-19, ndërsa pajisjet mbrojtëse profesionale do t’i ndihmojnë personelit shëndetësor që me një siguri sa më të lartë të luftojnë në parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundje.

Kurse, Shefja e Misionit të Ambasadës së Luksemburgut, znj. Natacha Gomes, tha se “si partner kryesor në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, është vendimtare që Luksemburgu ta mbështesë Kosovën në luftën kundër pandemisë COVID-19. Kjo është vetëm njëra prej ndërhyrjeve të planifikuara dhe jemi krenarë që po punojmë me partnerin tonë të besueshëm UNICEF-in për të arritur tek ata që përndryshe nuk do të mund të kishin qasje në furnizime dhe shërbime që shpëtojnë jetë”.

Shefi i zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin tha se “Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet dhe komunitetet në tërë Kosovën për t’i kapërcyer sfidat që janë paraqitur si pasojë e COVID-19. Ne e dimë se fëmijët dhe të rinjtë vuajnë në mënyrë disproporcionale nga COVID-19. Gjersa vazhdojmë të ofrojmë furnizime që shpëtojnë jetë përmes mbështetjes bujare të donatorëve tanë përfshirë këtu Qeverinë e Luksemburgut, ne do t’i përmirësojmë programet në mënyrë që çdo fëmijë dhe i ri të ndihmohet me planet e reagimit dhe rikuperimit ndaj COVID-19″.

Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Christopher Coleman, i cili ishte i pranishëm me rastin e arritjes së donacioneve të fundit, e përgëzoi UNICEF-in për sigurimin e pajisjeve jetike në këto rrethana sfiduese. “Kombet e Bashkuara qëndrojnë përkah popullit të Kosovës në betejën kolektive kundër pandemisë. Mos të harrojmë se ky virus është një kërcënim për të gjithë në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike, besimit ose statusit të secilit. Nëse veprojmë së bashku dhe me solidaritet, mund ta kapërcejmë edhe këtë krizë”.

UNICEF-i vazhdon angazhimin e vet për të lidhur partneritet me akterët dhe për të ofruar mbështetje në terren për institucionet dhe komunitetet./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme