Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, Daka: KQZ nuk ka asnjë kompetencë në këtë

00:23 | 20 Qershor 2020
Trina Galanxhi

Kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), Valdete Daka, ka folur rreth mbajtjes së procesit të votimit të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës.

Daka në Edicionin Special të Klan Kosovës ka deklaruar se KQZ nuk ka asnjë kompetencë për këtë duke shtuar se ata vetëm i organizojnë zgjedhjet.

“Ne si KQZ i organizojmë zgjedhjet në Kosovë, ne jemi institucion që  organizojmë zgjedhjet të cilat shpallen në Republikën e Kosovës. Ne për zgjedhjet që mbahen në Serbi dhe ato që janë lejuar pra të mbahen në Kosovë nga Qeveria, nuk kemi asnjë kompetencë, nuk kisha dhënë asnjë koment ajo është vendim i Qeverisë”.

“Ne si KQZ nuk kemi asnjë lloj kompetence fare, ato zgjedhje për neve nuk ekzistojnë, nuk i dimë as modalitetet, as nuk jemi fare në rrjedha të kësaj ngjarje”.

E pyetur se a bie në kundërshtim mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë me shtyrjen e datës së zgjedhjeve në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut për shkak të Covid-19, Daka tha se këtë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve në dy qytetet e vendit e jep Zyra e Presidentit.

“Edhe ky është vendim që merret nga një institucion tjetër që është zyra e presidentit ajo e cila vendos kur do të shpallen zgjedhjet, dhe natyrisht pas vlerësimeve që janë është marrë ai vendim. Pra , ne jemi institucion që vetëm i organizojmë zgjedhjet”.

Daka deklaroi se kur do që jepet vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve në këto dy komuna ata janë të gatshëm.

“Natyrisht obligimi jonë kushtetues është të organizojmë zgjedhjet kur ato shpallen në momentin që do të kemi një dekret nga presidenti ne do të fillojmë përgatitjet për zgjedhjet për këto dy komuna”.

Ajo gjithashtu tha se do të organizojnë edhe zgjedhjet e parlamentare kurdo që shpallet dekreti nga presidenti.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme