Mbahet takimi i parë i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, prezantohet dhe diskutohet plani vjetor 2024

13:47 | 20 Shkurt 2024
K.B

Sot u mbajt takimi i parë i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, në hapjen e të cilit mori pjesë kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrat, Hysen Durmishi dhe Getoar Mjeku, si dhe akterë të tjerë përfaqësues nga institucione publike e private, vendore e ndërkombëtare.

Gjatë këtij takimi kryeministri Kurti theksoi përkushtimin për të ndërtuar një platformë të fortë për dialogun publiko-privat, që mundëson identifikimin e mundësive dhe adresimin efikas të sfidave, përmes së cilës edhe është arritur zhvillimi i një plani vjetor ambicioz për vitin 2024 mbështetur nga Sekretariati i pavarur i Këshillit, i financuar nga SECO-ja zvicerane dhe i menaxhuar nga BERZh-i në Kosovë, shkruan Arbresh.info

“Ky plan përfshin një sërë aktivitetesh të synuara për të nxitur investimet dhe eksportet, si dhe për të intensifikuar dhe thelluar dialogun ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. Në këtë plan vjetor janë tri ngjarje kryesore, në tetor dhe në nëntor 2024, në Kosovë, të cilat ofrojnë mundësi të vlefshme për promovim të investimeve të huaja direkte dhe eksportit, si dhe për të gjitha kombinimet e rrjetëzimit: ‘Qeveri-Qeveri’, ‘Biznes-Qeveri’ dhe ‘Biznes-Biznes’ (B2B)”, u shpreh ai duke rikujtuar datën 3-12 tetor 2024, për shërbimet e mundësuara nga TIK; 24-26 tetor 2024, për Javën e Industrisë së Ushqimit të Kosovës; dhe 20-26 nëntor 2024, për Konventën e Industrisë së Drurit.


Në këtë takim ku u ndanë vizionet dhe synimet për rrugëtimin e ardhshëm të Kosovës drejt rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm, kryeministri përmendi synimin për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, përkushtimin për një mjedis biznesi lehtësues e inkurajues dhe prioritizimin për reformimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, që ndikon në minimizimin e barrës administrative dhe sigurimin e një mjedisi të barabartë për të gjithë.

Në anën tjetër, esenciale kryeministri e quajti promovimin e sektorëve, që janë të duhur për Kosovën si, bujqësia dhe sektorët e ushqimit, shërbimet BPO (Business Process Outsourcing) të mundësuara nga teknologjia e informacionit, sektorët e prodhimit të lehtë, prodhimi i energjisë elektrike nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme dhe gjithashtu fokus i dha dëshirës që të bëhemi destinacion i dëshiruar për prodhimin e automjeteve elektrike për shkak të fuqisë punëtore dinamike dhe me kosto konkurruese.

“Me një pozicionim strategjik në Evropën Juglindore dhe qasje në tregjet kyçe, së bashku me një fuqi punëtore të re, të shkathët dhe shumëgjuhëshe, dhe një ekonomi të hapur e të qëndrueshme, jemi të përgatitur të mirëpresim investitorët dhe partnerët që dëshirojnë të jenë pjesë e historisë sonë të suksesit”, përmbylli fjalën e tij kryeministri Kurti, duke falënderuar sektorin privat për kontributet dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Për planin vjetor foli Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili ndër të tjera tha se qasja e Qeverisë ndaj bashkëpunimit me sektorin privat ka qenë dhe është e bazuar në tri shtylla kryesore, vlera, sisteme dhe rezultate. Në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, ai tha se është definuar qartë një kalendar për tërë vitin si dhe për vitet e ardhshme të dialogimit publiko-privat.


Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara, znj. Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë edhe Tregtisë,

I nderuari, z. Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal,

I nderuari, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dhe

Zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë, Getoar Mjeku,

Të nderuar udhëheqës të institucioneve të pavarura shtetërore,

I nderuari, z. Artan Mehmeti, shef i sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime,

I nderuari, z. Sergyi Maslichenko, drejtor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,

I nderuari, ambasador i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot,

Të nderuar përfaqësues të sektorit privat,

Të nderuar përfaqësues të odave dhe asociacioneve sektoriale dhe bilaterale në Kosovë,

Të nderuar përfaqësues të Agjencive zhvillimore,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Është nder dhe kënaqësi që të hap këtë ngjarje, ku do të ndajmë vizionet dhe synimet për rrugëtimin e ardhshëm të Kosovës drejt rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, jam i motivuar nga pozicioni unik që zë vendi ynë dhe mundësitë për të ndërtuar një ekonomi progresive, të hapur, gjithëpërfshirëse dhe stabile. Ne synojmë të tërheqim investimet e huaja direkte që sjellin vlerë të lartë dhe punësim cilësor për qytetarët tanë. Në këtë drejtim, Qeveria jonë ka ndërtuar një bazë të mirë për përmirësime të mëtejshme. Vetëm gjatë tri viteve të fundit, investimet e huaja direkte janë dyfishuar, po ashtu edhe eksportet, ndërkaq raporti ndërmjet eksporteve dhe importeve është rritur nga gati 1 me 9 sa ka qenë, në edhe më mirë se 1 me 6.

Vazhdimi në këtë rrugëtim të suksesshëm, kërkon angazhim të palëkundur. I tillë është përkushtimi ynë për një mjedis biznesi i cili jo vetëm lehtëson dhe inkurajon operimin e ndërmarrjeve brenda dhe jashtë vendit, por gjithashtu fton inovacionin dhe konkurrencën. Kemi vendosur si prioritet të lartë reformimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, për të minimizuar barrën administrative dhe për të siguruar një mjedis të barabartë për të gjithë. Kjo përfshin nxitje fiskale për sektorë kyçë dhe investime në infrastrukturë dhe arsim, për të përgatitur fuqinë punëtore të Kosovës për sfidat e ardhshme.

Qeveria jonë ka vënë në fokus ndërlidhjen e tregut të punës me arsimin dhe aftësimin profesional.

Promovimi i sektorëve që janë të duhur për Kosovën është esencial për të maksimizuar potencialin tonë ekonomik. Bujqësia dhe sektorët e ushqimit në Kosovë përbëjnë një themel të ekonomisë së eksportit, duke llogaritur 17% të eksporteve totale dhe karakterizohen nga disa avantazhe konkurruese si për shembull, kostot konkurruese të punës, klima kontinentale e përshtatshme dhe industria e gjallë e verës. Ndërkohë, Kosova po shfrytëzon bumin global të teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, duke u pozicionuar si një destinacion kryesor për shërbimet BPO (Business Process Outsourcing), të mundësuara nga teknologjia e informacionit, me një sektor të teknologjisë që ka treguar rritje të konsiderueshme që nga viti 2015. Sektorët e prodhimit të lehtë kanë arritur të krijojnë një prani të konsiderueshme, me pajisjet elektrike, metalin, plastikën dhe prodhimin e drurit, që drejtojnë më shumë se 43% të eksporteve në 2023, duke theksuar pozicionin e fortë të vendit në këto industri. Kosova gjithashtu është duke iu drejtuar energjisë së ripërtëritshme, me qëllime ambicioze për të transformuar peizazhin e saj energjetik, përderisa gjithashtu vazhdojmë të ndërtojmë mbi trashëgiminë tonë të pasur minerare.

Para pak javësh kemi përmbyllur ankandin e parë për 100 megavatë në Rahovec, me ç ‘rast gjashtë korporata serioze ndërkombëtare ndodhen në garë për prodhim të energjisë nga burime të ripërtëritshme, në këtë rast diellin. Ndërkaq edhe 150 megavatë të tjerë do t’i kemi në llote nga 75 megavatë gjatë këtij viti, me shpresë gjatë mesit të vitit 2024, me ç ‘rast nuk do të jenë të specifikuara për nga vendi meqenëse bashkë me korporatat të cilat do të fitojnë ne do të arrijmë që ta bëjmë këtë përcaktim. Pra synimi ynë është që me Strategjinë 2022-2031 t’i shtojmë 1200 megavat prodhim të energjisë elektrike nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme që është shumë ambicioze por njëkohësisht edhe e realizueshme.

Gjithashtu ne dëshirojmë që të bëhemi destinacion i dëshiruar për prodhimin e automjeteve elektrike për shkak të fuqisë punëtore dinamike dhe me kosto konkurruese. Nuk është e rastësishme që në Kosovë kemi raste kur bizneset e caktuara importojnë lëndën e parë ta zëmë nga një vend siç është Austria, dhe prodhimin final e dërgojnë në një vend fqinj të Austrisë siç është Zvicra. Kostot operuese në Kosovë janë të ulëta, edhe sa i përket fuqisë punëtore që paguhet edhe sa i përket qiramarrjes e cila është përgjithësisht e lirë.

Ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar një platformë të fortë për dialogun publiko-privat, që mundëson identifikimin e mundësive dhe adresimin efikas të sfidave. Pra, edhe mundësitë edhe sfidat të shohim se sa mund t’i përcaktojmë së bashku dhe kjo është mënyra se qysh ne mendojmë se ecim përpara: edhe konkurrencë edhe inovacion edhe bashkëpunim. Jo konkurrencë pa bashkëpunim, por natyrisht edhe jo bashkëpunim pa konkurrencë.

Përmes bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat, asociacionet e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe në koordinimin me Shefin tim të Stafit, Luan Dalipin, kemi arritur të zhvillojmë një plan vjetor ambicioz për vitin 2024. Ky plan është mbështetur edhe nga Sekretariati i pavarur i Këshillit, i financuar nga SECO zvicerane, për çka i falënderojmë, dhe i menaxhuar nga BERZh-i në Kosovë, të cilët gjithashtu i falënderojmë.

Ky plan përfshin një sërë aktivitetesh të synuara për të nxitur investimet dhe eksportet, si dhe për të intensifikuar dhe thelluar dialogun ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. Në këtë plan vjetor janë tri ngjarje kryesore, në tetor dhe në nëntor 2024, në Kosovë, të cilat ofrojnë mundësi të vlefshme për promovim të investimeve të huaja direkte dhe eksportit, si dhe për të gjitha kombinimet e rrjetëzimit: ‘Qeveri-Qeveri’, ‘Biznes-Qeveri’ dhe ‘Biznes-Biznes’. Periudhat për t’u mbajtur mend e shpresoj që të gjithë ju do t’i vendosni në kalendarin e aktivitetve dhe planeve që bëni për vitin në të cilin ndodhemi, janë:

▪ 3-12 tetor 2024, për shërbimet e mundësuara nga TIK;

▪ 24-26 tetor 2024, për Javën e Industrisë së Ushqimit të Kosovës; dhe

▪ 20-26 nëntor 2024, për Konventën e Industrisë së Drurit.

Gjatë nëntorit të kaluar, nën organizimin e Sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, janë mbajtur takime me përfaqësues të odave dhe kompanive më konkurruese të dhjetë sektorëve, prej të cilave kanë rezultuar rreth 130 kërkesa nga sektori privat.

Dialogu i bazuar në vlera midis sektorit publik dhe atij privat është jetik për identifikimin e mundësive dhe zgjidhjen efikase të sfidave për zhvillimin e sektorit privat.

Pra, ne jemi një Qeveri që nuk i sheh vlerat e ndara nga interesi, ne i shohim ato bashkë. Është e mundshme t’i kemi bashkë, ne e dimë që nuk janë e njëjta gjë. Vlerat dhe interesi nuk janë e njëjta gjë. Mirëpo nuk duam as vlera por pa interes, ku nuk ka përfitim, ndonjë farë lloj vetëmjaftueshmërie e vlerave por pa dobi materiale nuk është preferencë e jona. Por edhe nuk ka nevojitet një interes brutal i cili shpërfill çfarëdo vlerash. Ne besojmë që është e mundur t’i kemi të dyja këto dhe kjo duhet të jetë princip pune në dialogun tonë publiko-privat.

Ky dialog ndërmjet sektorit publik dhe privat është jetik për identifikimin e mundësive dhe zgjidhjen efikase të sfidave për zhvillimin e sektorit privat.

Ne e kuptojmë që një partneritet i fortë midis qeverisë dhe bizneseve është thelbësor për të krijuar një ekonomi dinamike dhe inovative. Përmes këtij dialogu, ne synojmë të kemi një kuptim të përbashkët të mundësive dhe sfidave, duke u angazhuar për zgjidhje të qëndrueshme nga të cilat përfitojnë të gjithë akterët e përfshirë. Kjo do të thotë të dëgjojmë me vëmendje, njëri tjetrin sidomos ne juve, të jemi transparentë në vendimmarrje dhe të veprojmë me integritet.

Ndërsa përparojmë, Kosova mbetet e vendosur që të luajë një rol të rëndësishëm në skenën ekonomike rajonale dhe ndërkombëtare. Me një pozicionim strategjik në Evropën Juglindore dhe qasje në tregjet kyçe, së bashku me një fuqi punëtore të re, të shkathët dhe shumëgjuhëshe, dhe një ekonomi të hapur e të qëndrueshme, jemi të përgatitur të mirëpresim investitorët dhe partnerët që dëshirojnë të jenë pjesë e historisë sonë të suksesit.

Ju faleminderit për kontributin e deritanishëm dhe ju dëshiroj punë të mbarë në këtë diskutim gjithsesi të nevojshëm./Arbresh.info/

Të ngjashme