Google ADS

Këshilli Prokurorial i Kosovës miraton themelimin e tri departamenteve të reja

14:20 | 21 Shkurt 2020
Arbresh.info

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar sot në takimin e tij të rregullt, të 178-tin me radhë, raportin vjetor të punës së KPK-së për vitin 2019, i cili është prezantuar nga Kryesuesi Bahri Hyseni, me ç’rast ka shpalosur aspekte të veçanta dhe përmbajtjesore për punën njëvjeçare të Këshillit.

Gjithashtu, Këshilli miratoi themelimin e tri departamenteve të reja në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës: Departamentin për Luftimin e Korrupsionit, Departamentin për Krim të Organizuar dhe Krim Financiar dhe Departamentin Kundër Terrorizmit, të cilat i ka prezantuar Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Nga ana tjetër, KPK-ja ka miratuar dy raporte periodike për periudhën korrik – shtator dhe tetor – dhjetor të vitit 2019, që hartohen në kuadër të raportimeve të rregullta për luftimin e krimeve ekonomike, të cilat i prezantoi Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial ka miratuar edhe Kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit për transferimin e tre prokurorëve – dy në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe një në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, si dhe ka marrë vendim për transferimin e një prokurori nga Prokuroria Themelore e Prishtinës në atë të Mitrovicës për një periudhë të caktuar./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme