Sot u mbajt konferenca e Anketës me Tregues të Shumëfishtë (MICS), ngjarje në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Të pranishëm ishin edhe Arnhild Spence, Koordinatore Rezidente e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin në Kosovë, Avni Kastrati, UD i Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Veronika Vashchenko, Shefe e UNICEF-it në Kosovë, përfaqësues të korit diplomatik e përfaqësues të kabinetit qeveritar.
Anketa e MICS është një instrument i fuqishëm që ofron të dhëna mbi mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në vendin tonë dhe të cilat masin treguesit kyç që u mundësojnë shteteve të gjenerojnë të dhëna për përdorim në politika, programe, dhe planet e zhvillimit kombëtar.
Kryeministri Kurti, gjatë fjalës së tij, u shpreh se qasja në të dhëna të besueshme dhe cilësore është thelbësore për të marrë vendime të informuara dhe për të bërë investime strategjike.
“Një nga pikat më të forta të MICS është grupi gjithëpërfshirës prej 120 treguesish që i ofron. Këta tregues na mundësojnë të përzgjedhim ata më të rëndësishmit për të mbikëqyrur progresin e strategjive tona kombëtare, duke përfshirë përmirësimet në mirëqenien e fëmijëve, shëndetin e nënave dhe rezultatet në arsim”, deklaroi kryeministri.
Ai u shpreh se ndër vite MICS ka qenë një shtyllë kryesore në formësimin e politikave të bazuara në fakte, duke mbështetur objektivat tona afatgjata për zhvillimin e Kosovës, nga Plani Kombëtar për Zhvillim deri te Strategjia për të Drejtat e Fëmijëve dhe planet sektoriale.
Para të pranishmëe, kryeministri përmendi edhe dy raundet e MICS në Kosovë, të zhvilluara në vitet 2014 dhe 2020, të cilat kanë përfshirë një mostër të veçantë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Këto të dhëna, përveç se kanë sjell në vëmendje nevojat e komuniteteve në Kosovë, kanë ndihmuar edhe në krijimin e strategjive të synuara, siç është Strategjia dhe Plani i Veprimit për Romët dhe Egjiptianët.
Në anën tjetër, këto raunde kanë ndihmuar ASK-në të forcojë kapacitetet e saj në mbledhjen dhe analizën e të dhënave, duke mbështetur zhvillimin e politikave të bazuara në dëshmi të besueshme.
“Falë MICS, të dhënat e Kosovës mund të krahasohen me ato të vendeve të tjera të rajonit dhe më gjerë. Për më tepër, MICS na ofron një mori informacioni që mbështet monitorimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, pra të SDG-ve apo ‘Sustainable Development Goals'”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se MICS na vendos në hartën globale të të dhënave, duke na ofruar tregues të krahasueshëm ndërkombëtarisht dhe duke na lejuar të bëjmë një vlerësim objektiv të përparimit tonë në fusha të ndryshme.
Programi global i MICS-it është krijuar nga UNICEF në vitet 1990 si pjesë e programit ndërkombëtar të anketimit të ekonomive familjare për të mbështetur vendet të grumbullojnë të dhëna që janë ndërkombëtarisht të krahasueshme për një numër të madh treguesish mbi gjendjen e femrave dhe fëmijëve.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Është nder i veçantë të jem pjesëmarrës në këtë takim të rëndësishëm sot, ku jemi mbledhur për të diskutuar një mjet thelbësor për zhvillimin e vendit tonë—Anketën me Tregues të Shumëfishtë (‘MICS’ apo ‘Multiple Indicator Cluster Surveys’). Në rrugëtimin tonë drejt përparimit shoqëror dhe zhvillimit të qëndrueshëm, qasja në të dhëna të besueshme dhe cilësore është thelbësore për të marrë vendime të informuara dhe për të bërë investime strategjike.
Anketa e MICS është një instrument i fuqishëm që na ofron të dhëna tejet të çmueshme e mbi mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në vendin tonë. Përmes viteve, MICS ka qenë një shtyllë kryesore në formësimin e politikave të bazuara në fakte, duke mbështetur objektivat tona afatgjata për zhvillimin e Kosovës. Nga Plani ynë Kombëtar për Zhvillim deri te Strategjia për të Drejtat e Fëmijëve dhe planet tona sektoriale, të dhënat e MICS na shërbejnë si një burim i pazëvendësueshëm informacioni.
Një nga pikat më të forta të MICS është grupi gjithëpërfshirës prej 120 treguesish që i ofron. Këta tregues na mundësojnë të përzgjedhim ata më të rëndësishmit për të mbikëqyrur progresin e strategjive tona kombëtare, duke përfshirë përmirësimet në mirëqenien e fëmijëve, shëndetin e nënave dhe rezultatet në arsim.
Dy raundet e MICS në Kosovë, të zhvilluara në vitet 2014 dhe 2020, kanë përfshirë gjithashtu një mostër të veçantë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Këto të dhëna janë një dritare jetike për të kuptuar më mirë nevojat e këtyre komuniteteve dhe për të ndihmuar në krijimin e strategjive të synuara, siç është Strategjia dhe Plani i Veprimit për Romët dhe Egjiptianët.
MICS na vendos në hartën globale të të dhënave, duke na ofruar tregues të krahasueshëm ndërkombëtarisht dhe duke na lejuar të bëjmë një vlerësim objektiv të përparimit tonë në fusha të ndryshme. Falë MICS, të dhënat e Kosovës mund të krahasohen me ato të vendeve të tjera të rajonit dhe më gjerë. Për më tepër, MICS na ofron një mori informacioni që mbështet monitorimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, pra të SDG-ve apo ‘Sustainable Development Goals’.
Të dashur miq, mbështetja juaj për këtë iniciativë është thelbësore për të ndihmuar Kosovën të arrijë qëllimet e saj zhvillimore dhe për të përmirësuar jetën e fëmijëve dhe të familjeve tona. Faleminderit për përkushtimin tuaj të vazhdueshëm.
Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët tanë—dhe me të dhënat e sakta, është më lehtë të ndërtojmë një të ardhme sesa të organizojmë një darkë miqësore pa debate politike në Ballkan!
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...