Mbahet dita e parë e punëtorisë “Tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë”

16:40 | 6 Korrik 2021
L G

Është mbajtur sot dita e parë e punëtorisë “Tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë”, e organizuar nga Ministria e Ekonomisë e që ka mbledhur të gjithë ekspertët e energjisë në Kosovë, vendorë dhe ndërkombëtarë që përfaqësojnë institucionet, organizatat ndërkombëtare si dhe shoqërinë civile.

Kjo punëtori e përbashkët për sektorin e energjisë dhe koordinimin e donatorëve në Kosovë ka për qëllim informimin e vendimeve teknike dhe politike që do të merren gjatë procesit të finalizimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë.

Punëtoria është hapur nga Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Dita e parë e kësaj punëtorie është fokusuar në prezantim të skenarëve në bazë të studimeve për tranzicion energjetik në Kosovë të cilat janë bërë deri më tash nga ana e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Zyra e BE-së në Kosovë, USAID, Qeveria Gjermane (GIZ dhe KFW), Banka Botërore si dhe ERBD.

Prezantimet janë ndjekur nga pyetje dhe diskutime të detajuara teknike nga ana e ekspertëve dhe përfaqësueseve të Ministrisë së Ekonomisë për të nxjerrë të gjitha informatat e domosdoshme për draftimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë.

Tutje janë mbajtur dy panele, të cilat janë fokusuar në prioritetet dhe supozimet kryesore për planifikimet e ardhshme të sektorit të energjisë duke marrë parasysh kostot, mjaftueshmërinë e gjenerimit dhe afatin kohor.

Këto panele janë detajuar në furnizim të energjisë me kosto sa më të ulët dhe në planifikim të investimeve, incentivave dhe nevojave financiare./arbresh.info/

Të ngjashme