Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022, këtë vit numri i aksidenteve me lëndime të lehta, ka shënuar rënie.
Kjo sipas drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Sami Mazreku, për shkak të lansimit të sistemit që quhet “sistem anti-mashtrim”, i cili në mënyrë automatike i detekton rastet, të cilat potencialisht llogariten që janë inskenime për qëllim të marrjes së kompensimeve nga kompanitë e sigurimeve por edhe pajisjes së Policisë së Kosovës me vetura inteligjente.
Në një intervistë për “Arbresh.info”, Mazreku thotë se tek lëndimet e lehta ka rreth 4.25 për qind rënie të aksidenteve.
“Nëse e shohim në përgjithësi krahasuar me tre mujorin e vitit të kaluar, këtë tre mujor ka rënie të numrit të aksidenteve, çka është një punë e madhe që është duke e bërë Policia e Kosovës. Në anën tjerë nëse i referohemi kategorive të ndryshme, normalisht ende që nga viti 2015 e tutje kur kemi fillu me pas rritje të numrit të aksidenteve me lëndime të lehta, shihet se ende është një numër në rritje”, tha Mazreku.
Megjithatë, sipas tij, rënia e aksidenteve me lëndime të lehta ka ardhur si rezultat i “sistemit anti-mashtrim” si dhe stikerave.
“Ka pasur raste që një numër i personave janë arrestuar për inskenim të aksidenteve. Mirëpo ajo çka neve, kompanitë e sigurimeve dhe Policinë e Kosovës këtë vit na ndihmon, është që e kemi lansuar një sistem që quhet “sistem antimashtrim”, i cili në mënyrë automatike i detekton rastet ,të cilat potencialisht llogariten që janë inskenime. Vetë sistemi është i konfiguruar në atë mënyrë, ku tregon që një person i cili përsëritet në aksidente të ndryshme, në periudha të ndryshme” u shpreh ai.
Në rënie në këtë tremujor krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas Mazrekut, është edhe numri i aksidenteve pa regjistrim dhe sigurim.
“Këtë vit është bërë një vit që nga implementimi i projektit të stikerave, projekt ky i financuar 100 për qind nga kompanitë e sigurimeve përmes BKS-së, kemi hiq më pak se 13 për qind aksidente të raportuara, ku shkaktari është pa regjistrim dhe pa sigurim”, tha Mazreku për Arbresh.info.
Mazreku, thotë se këtë vit presin që dëmet që janë pa regjistrim dhe sigurim të ketë numër më të lartë, pasi tashmë dihet saktë se sa vetura janë pa regjistrim dhe sigurim dhe sa prej tyre po shkaktojnë aksidente.
“Këtu e kemi fokusin këtë vit, të shohim përmes policisë se sa mundemi dhe si mundemi të lëndimet e lehta dhe numri i aksidenteve që shkaktojnë veturat pa regjistrim dhe sigurim, ta ulim sa më shumë. Mirëpo edhe ky numër prej 13 për qind në rëni, është numër i kënaqshëm për ne si fillim, pasi është vetëm viti i parë dhe besoj që këtë vit do ketë rezultate më të madha, duke e ditur se këto aksidente u shkaktojnë dëme direkt kompanive të sigurimeve”, ka theksuar drejtori i BKS-së.
Sipas tij, veturat pa regjistrim dhe sigurim gjobiten me 350 euro.
“Ligji e parasheh se çdo veturë, e cila ndalet në trafik dhe nuk ka regjistrim dënimi është 150 euro, ndërsa nëse nuk ka as sigurim është edhe 200 euro shtesë, që në total është 350 euro gjoba për këto kategori”, tha ai.
Me ardhjen e tij në këtë pozite, Mazreku thotë se ka aktivizuar hiq më pak se 20 mijë dosje, ku shkaktarët në të kaluarën kanë bërë aksidente pa regjistrim dhe sigurim, mirëpo për arsye të ndryshme nuk janë ndjek format ligjore që ato mjete të kthehen prapa, ku me ligj ajo shihet./Arbresh.info/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...