Në konferencën që ka mbajtur për përfundimin e vitit shkollor, Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, ka deklaruar se si ministri kanë nisur përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, i cili beson se do të nis me prezencë fizike në objektet shkollore.
Bërdyna tha se kjo do të varet nga situata me pandeminë dhe rekomandimi që do të marrin nga institucionet shëndetësore, por në funksion të realizimit të mësimit në objektet shkollore, ajo tha se ka nisur vaksinimi i mësimdhënësve.
Ajo tha se përmes mësimit plotësues kanë arritur të përmirësojnë ngecjet që janë shkaktuar si shkak i pandemisë.
“Për shkak të situatës me COVID-19, ka qenë një vit shumë i vështirë në të gjithë sektorët, sidomos në atë të arsimit. Besoj që përmes mësimit plotësues, të cilin e kemi organizuar në MASHTI për shkollat, kemi arritur që pak a shumë të përmirësojmë ngecjet e shkaktuara tek një pjesë e nxënësve. Për sa i përket përfundimit të vitit shkollor jemi të lumtur se kemi arritur që në këtë mënyrë të ndikojmë dhe të ndihmojmë cilësinë e procesit mësimor. Natyrisht tani jemi edhe dy muaj përpara fillimit të vitit të ri shkollor, MASHTI ka nisur parapërgatitjet për një fillim sa më të mbarë, e besoj se sikurse të gjithë ne po shpresojmë që nga shtatori procesi mësimor të fillojë në kushte normale, pra në prani fizike. Natyrisht kjo do të varet shumë nga situata me pandeminë dhe do të vendoset nga institucionet kompetente si IKSHPK dhe MSH. Lajmi i mirë në këtë drejtim që na gëzon shumë neve në MASHTI se tashmë ka nisur edhe vaksinimi i mësimdhënësve në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për vitin e ri shkollor”, tha ajo.
Ajo bëri të ditur se nga muaji shtator do të jenë në duart e nxënësve tekstet e reja shkollore për klasat 3, 8 dhe 12, derisa deklaroi se do të hyjnë në përdorim edhe tekstet alternative.
Zv/ministrja bëri të ditur se në fund të këtij viti do miratohet edhe Ligji i ri për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lektyrës shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik dhe pastaj do të vazhdohet me tekste të reja edhe për klasat tjera.
Bërdyna foli edhe për rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës të shpallura në fillim të kësaj jave. Ndër të tjera, ajo tha se Këshilli Shtetëror i Maturës ka vlerësuar raportet e komisioneve në qendrat e testimit dhe ka konstatuar se 15 mësimdhënës kanë bërë shkelje të procedurave të administrimit dhe atyre do t’iu publikohen emrat dhe të njëjtit do të dënohen edhe me mjete financiare bazuar në Ligjin e Maturës.
Ndërsa, sa i përket afatit të dytë të Provimit të Maturës, zv/ministrja tha se janë duke u bërë përgatitjet që ky provim të mbahet më 28 gusht, ashtu siç është planifikuar, ndërsa nxënësit mund ta paraqesin provimin nga data 15 gusht./arbresh.info/
Abdixhiku thotë se 40 mijë mërgimtarë e mbështesin LDK-në: S...
Sara në darkën e të nominuarve: Driloni është personi më i b...
Sulm me thikë në Mbretërinë e Bashkuar, dy të vdekur e dy të...
Syzet inteligjente Ray-Ban bëhen me “ekrane televizive”
Si të përdorni teknologjinë për të përmirësuar shëndetin?
Cilat aplikacione u harxhojnë më së shumti baterinë e telefo...